LAJMI I FUNDIT:

“Biskupi Pavle” – deshifrim i miniaturave!

Këto ditë ndërroi jetë kreu i Kishës Ortodokse Serbe Patriarku Pavle (1914-2009), vdekja e të cilit na dha shumë shenja, kode ose deshifrime të cilat e sqarojnë edhe më mirë pozitën gjeostrategjike të shteteve të Ballkanit.

Si çdo vdekje që duhet respektuar edhe vdekja e tij duhet respektuar. Pa marrë parasysh të kaluarën e tij të errët ndaj pretendimeve serbe në Ballkan, bekimet e tij ndaj gjenocideve serbe në Kosovë e tjerë. Duhet të respektohet vdekja e tij, jo pse e meriton vepra e tij respektin, por për shkak të qenurit qenie njerëzore dhe jo një qenie jo njerëzore.


Është në natyrën tonë fisnike si popull shqiptar që të respektojmë çdo krijesë në botë, e veçanërisht krerët zullumqar të popujve të ndryshëm në tokë që kanë bërë zullume mbi ne (e që duhet respektuar me rastin e vdekjes së tyre). Ne respektojmë ceremoninë e vdekjes së tij, pasi që në këtë mënyrë shuhet dalë nga dalë ajo periudha e egër e zullumqarëve serb në Ballkan.

E keqja shndërrohet në histori dhe shënohet si e keqe, e hapësirat e veprimtarisë së popujve në Ballkan lirohen dhe marrin frymë lirshëm. Populli serb ka ditë zie me rastin e vdekjes së kreut ortodoks. Qeveria e Republikës së Serbisë shpalli tre ditë zie me rastin e humbjes së ideatorit të politikave shoviniste serbe dekada me radhë. Ne, si popull, respektojmë këtë veprim të popullit fqinj, pasi që kanë humbur ideatorin e Serbisë së madhe dhe pretendimeve të asaj Serbie në tokat tona.

Njëjtë siç respektuam ditën e zezë të martë të katolikëve dhe ortodoksëve anembanë Evropës. Konstantinopoja (Stambolli) sipas disa historianëve u çlirua ditën e martë nga ana e Sulltan Fatihut, dhe këtë ditë për shumë shekuj me radhë bota e krishterë e ka ditë zie. Madje edhe në popullin tonë pa vetëdije kjo ditë shënohet si ditë zie e bartur prej traditave krishtere.

Përkundër respektit që kemi ndaj kësaj qenieje njerëzore, këto ditë nëpër media pamë disa veprime shumë interesante të cilat janë të lidhura direkt me të kaluarën shoviniste të popujve sllavë në Ballkan. Gati të gjitha mediet e Maqedonisë dhanë hapësira të mëdha analizash dhe përkujtimi për vdekjen e kreut ortodoks serb.

Edhe pse e dimë fort mirë pozicionin e Kishës Ortodokse Serbe ndaj Kishës Ortodokse Maqedonase, prapë se prapë, mediet në Maqedoni i kushtuan një vëmendje të veçantë, vëmendje heroi vdekjes së tij. Pjesa dërmuese e udhëheqësve të Kishës Ortodokse Maqedonase ishte garniturë e gatuar në kuzhinat e ish-kreut ortodoks serb.

Kjo gjë doli në pah me vdekjen e tij, para vdekjes nuk e kisha ditur një fakt të këtillë. Një lidhje shumë të afërt midis popullit serb me popullin maqedonas e pamë gjatë kësaj ceremonie. Madje në Kumanovë shumë gra dhe femra ditën e vdekjes së kreut ortodoks serb ishin të veshura me ngjyrë të zezë, në shenjë solidarizimi me Qeverinë e Republikës së Serbisë.

Në zvarritjen e problemeve midis KOS dhe KOM kishin ndikuar mjaft vet themelimi i KOM nga nxënësit e ish-kreut të KOS. Si duket KOM nuk ka dëshirë që të pavarësohet, por realisht do që të zvarrisë procesin e pavarësimit të saj prej Kishës Ortodokse Serbe me qëllim që të vazhdojë ndikimi i politikës serbe në Maqedoni përmes Kishës Ortodokse Maqedonase.

Kjo kishë ka një mbështetje të fuqishme nga ana e qeverisë së “monarkut” Nikolla Gruevski i cili mjeteve të taksapaguesve shqiptar mysliman të Maqedonisë i gjen vende në investime me bekime të kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase.

Gjatë kohë kam vizituar bibliotekën e kishës “Shën Gjoni” në Kumanovë, në të cilën bibliotekë dominojnë librat në gjuhën serbe dhe bullgare, ndërsa libra në gjuhën maqedonase në këtë bibliotekë ka shumë pak.

Dominimi i Serbisë në Maqedoni është i dukshëm në çdo sferë të jetës. Sipas raportit të komisionit evropian për Maqedoninë, njësitë rajonale në Kumanovë janë më të korruptuarat në Maqedoni, pasi që proceset e sllavizmit nuk mund të realizohen në ato vende ku respektohet ligji dhe Kushtetuta e Maqedonisë, por vetëm nëpërmjet korrupsionit këto procese mund të shohin dritën jeshile.

Vdiq kreu i Kishës Ortodokse Serbe, me të, vdiq edhe periudha e errët e veprimtarisë shoviniste sllave në Ballkan. Të shpresojmë se teoria “Shkojë Jovani, erdh Stojani, përsëri ngela i robëruar” të mos jetë e vërtet në këtë rast.