LAJMI I FUNDIT:

“Bisedimet teknike” dhe gabimet “teknike” të zonjës Editë!

Gjatë procesit të deritashëm të “bisedimeve teknike” ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë, janë reflektuar së pakut këto shtatë dështime në disfavor të vendit tonë:

Zonja (jo: “zotesha” ) Editë Tahiri, me ngulm e krejtësisht gabimisht e përdorë shprehjen, në vend të negociatave politike,“bisedime teknike” ndërmjet ekipit kosovar qe ajo udhëheq dhe, ekipit serb, të cilin e kryeson zotëri (jo: “zoti” siç e quan zonja Editë) Stevanovic!


“Bisedime teknike” ndërmjet delegacioneve shtetërore nuk mund të zhvillohen në asnjë kontekst madje as gjatë implementimeve të instrumenteve ndërshtetërore të ratifikuara reciprokisht. Edhe në etapën e implementimit të instrumenteve politike – juridike ndërshtetërore, bisedimet, konsultimet e përfaqësuesve ndërshtetërorë qofshin të niveleve krejtësisht jopolitike, nuk mund të zhvillohen “bisedime teknike”, pos bisedime, kuvendime, konferime, konsultime apo debatime e polemizime nëse jo politike, së pakut, profesionale nergut të çështjeve praktike.

Temat deri tani të ngritura për trajtime të delegacioneve të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, janë absolutisht politike, shtetërore, ndërshtetërore madje tepër sensitive, të cilat kanë karakter, përmbajtje, rendësi dhe funksion politik. Sëandejmi, bisedimet e ekipit kosovar dhe të ekipit serb kryekreje ishin, janë dhe do te jenë politike.

Ndryshe, “bisedime teknike”, eventualisht do të mund të cilësoheshin komunikimet e tilla ndërmjet dy robotëve të sofistikuar, por, jo edhe ndërmjet, jo vetëm përfaqësuesve ndërshtetërorë, por as ndërmjet dy entiteteve legale, subjekteve fizike, dy njerëzve. Për ilustrim të trajtojmë rastin e bisedës ndërmjet pronarit të traktorit në defekt dhe të mjeshtrit të traktorit; as komunikimet ndërmjet pronarit dhe të mjeshtrit të traktorit nuk do të ishin “teknike” por profesionale për problemin teknik të caktuar! Seandejmi, zonja Editë, sa herë qe theksoni se ndërmjet ekipit qe e drejtoni në një anë, dhe ekipit të shtetit serb, në anën tjetër, se zhvilloni “bisedime teknike”, pa mëdyshje gaboni gjuhësisht e mbi të gjitha politikisht. Pra, përmirësojeni këtë lapsus lingua, nëse jo edhe lapsus in memoria, sepse ato askush nuk i trajton as nuk i kupton si të tilla dhe, më se pakut, cilido qytetar kosovar.

Në komunikimet ndërshtetërore, edhe sipas kortesisë diplomatike si dhe normave të mirësjelljes dhe të mirëfilljes së ndërsjellë të entiteteve respektive, kurdoherë, në rrethanat normale e të zakonshme, përfillet përballja e niveleve adekuate reciproke. Pra, i zoti i shtëpisë me të zotin e shtëpisë, e jo zoti i shtëpisë me një riosh të shtëpisë oponente, përkatësisht, përfaqësuesi i autorizuar i rangut respektiv me homologun adekuat, por jo edhe e kundërta, sikundër pala kosovare e praktikon në dëmin e vendit tonë referuar parimit të barazisë reciproke të përfaqësuesve të dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë.

Zonja Editë nga fillimi, implicite, ka pranuar dhe pa asnjë sens politik e diplomatik vazhdon të konfirmojë pozitën inferiore të ekipit negociator të Kosovës të cilin e drejton përballë atij të shtetit serb edhe për faktin e pakontestuar se udhëheqësi i ekipit serb as për afër nuk i takon nivelit të funksionit shtetëror të z Editë. Përderisa kjo e fundit është zëvendëskryeministre e Kosovës, zotëri Stevanovic ( jo “zoti Stevanovic” siç e quan Edita!) as për se afërmi nuk është i atij niveli funksional, nga se ai esencialisht, në vendin e vet, mbanë pozitë profesionale – administrative e jo politike, se pakut, jo të rangut politik të zëvendëskryeministrit të Serbisë.

Me faktin e pranimit të pozitave politike reciprokisht diferente dhe asimetrike në dëmin e Kosovës, kësaj kundruall Serbisë, apriori i është caktuar rangu nënshtetëror e jo ndërshtetëror, sepse “Serbinë përballë Kosovës mund ta prezantuaka dhe reprezentuaka edhe zotëri Stevanovic, me rang politik terciar kundruall vice/premierës së Kosovës! (sic). Ky gjest është për ndëshkim politik serioz nga se vendi ynë, ab inicio dhe ob ovo poshtërohet, nënvlerësohet dhe diskriminohet pikërisht ashtu sikundër ditë e natë pretendon explicite e implicite Serbia politike, madje edhe nëpërmjet përfaqësuesit aktual zotëri Stevanovicit.

Ditë më pare, zonja Editë, nëpërmjet mediave pat deklaruar se shteti serb, vendit tonë pajtohet për t’ia dhënë vetëm kopjet e dokumenteve nga librat kadastralë…, dhe se, ashtu pasi që paska ka vepruar edhe për Kroacinë etj, implicite, do të ishte e pranuar edhe për ne (vendin tonë)! Vallë a ka ironi më të madhe se shteti ynë i përfaqësuar nga niveli qeveritar, nga Serbia e përfaqësuar në këtë rast “teknikisht”, të kënaqej qe dokumentet origjinale kadastrale apo nga librat amëz të vendit tonë të mbeteshin në Serbi ( implicite, “në shtetin amë” !?), ndërsa zonja Editë t’i merrte kopjet e tyre!? Pra shteti i mirëfilltë (S) do t’i mbante dokumentet origjinale të Kosovës e kësaj, si “nënshtet”, ajo (S) do t’ia vente në përdorim kopjet, përshkrimet e vërtetuara, prapë nga autoritete serbe!?…

Përderisa Serbia, së pakut deri tani, Kosovën me asnjë gjest nuk e njeh si shtet sovran dhe të pavarur dhe, ditë e natë vepron egërsisht kundër shtetësisë së Kosovës, pala kosovare pranon të zhvillojë negociata “teknike” me delegacionin e shtetit serb të nivelit krejtësisht më të ultë për kah rangu, implicite, do të mund të interpretohej se edhe autoritetet kosovare pranojnë pozicion inferior karshi atyre serb, në një anë dhe, se akordohen me statusin politik e juridik të panjohur nga shteti serb. Në atë mënyrë, nder tjera, autoritete kosovare, pos atyre serbe, edhe vetë, e mohojnë nivelin shtetëror të vendit tonë në komunikimet politike me ato të shtetit serb ( sic).

Në fund, zonja Editë, mos e quani më zotëri Stevanovicin “Zoti S…” sepse, as serbet as cili do popull tjetër, atë, as kënd tjetër të gjinisë mashkullore nuk e titullojnë “Zoti”, “Bog…”; “God”; …por “gospodine – zotëri”; Mr; Herr; etc… Ndryshe, nëse do të miratohej titullimi i juaj zonja Editë “zoti Stevanovic” apo cili do tjetër person i gjinisë mashkullore, për cilin do person të gjinisë femërore pra edhe për juve, do të duhej të praktikohej termi “zoteshë”, konkretisht jo zonja Editë, por, zotesha Editë…