LAJMI I FUNDIT:

Bisedime teknike Prishtinë-Beograd në vitin 2009?

Bisedime teknike Prishtinë-Beograd në vitin 2009?

Misioni i OKB-së në Kosovë paralajmëron një raund të ri bisedimesh teknike Prishtinë-Beograd për pjesën e parë të vitit 2009.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russel Geekie, thotë se bisedimet për çështje teknike Prishtinë-Beograd, sipas të gjitha gjasave, do të jenë bisedime direkte të zhvilluara nga ekspertë të të dyja palëve, përfshirë pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë.

"Nuk mund t’ju jap detaje tani, por nëse flisni për çështjet e sundimit të ligjit, ju e dini se që nga 9 dhjetori forcat policore të UNMIK-ut nuk janë më operacionale – gjë për të cilën tani është përgjegjës EULEX-i. Mendoj se është e rëndësishme që, sipas të gjitha gjasave, do të ketë një dialog direkt, të zhvilluar nga ekspertë për çështje teknike, përfshirë dhe ndërkombëtarët qoftë nga UNMIK-u, apo EULEX-i", tha për Radion Evropa e Lirë Geekie.

Bisedimet e fundit teknike Prishtinë-Beograd, të moderuara nga përfaqësuesit e OKB-së në Kosovë, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier dhe nga i dërguari i OKB-së, Andreë Ladley, kishin përfunduar me hartimin e dokumentit 6-pikësh, dokument ky i pranuar nga Beogradi dhe i hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.


Ndërkaq zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi në një prononcim për REL, ka hedhur poshtë mundësinë e rifillimit të bisedimeve për këto çështje, duke theksuar se Serbia dhe Kosova do të mund të zhvillojnë bisedime vetëm në nivelin e shteteve sovrane. /REL/Telegrafi/