LAJMI I FUNDIT:

Beteja midis ish-miqve dhe opsioni i tretë

Vrasja makabre e Drejtorit për Arsim në Komunën e Prishtinës, intervista e ish-shefit të LDK-së në Televizionin publik, vizita pa ndonjë agjendë të ndërtuar mirë në SHBA dhe reformat e premtuara në parti, po e detyrojnë kryetarin e LDK-së që të mos sfidohet me mediat dhe anëtarësinë e LDK-së

1.
Zhvillimet e fundit që po ndodhin në njërën nga organizatat më të fuqishme politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk janë komode për lidershipin e kësaj partie. Intervista e fundit e ish-kryetarit të LDK-së, dr.Fatmir Sejdiu dhënë Televizionit publik dhe status-quoja që ka ndodhur gjatë vitit të fundit në LDK, këtë parti e rikthejnë në ditën e 7 nëntorit të vitit të kaluar, kur Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti Kuvendin e Shtatë zgjedhor në të cilin kryetar i ri i kësaj partie u zgjodh dr.Isa Mustafa.
Çfarë tha në intervistën e tij dhënë Televizionit publik, dr.Fatmir Sejdiu dhe çfarë pati premtuar në Kuvendin e fundit zgjedhor, dr.Isa Mustafa? I pari ndër të tjera e kontestoi zgjedhjen e dr.Isa Mustafës në krye të LDK-së, duke e akuzuar atë indirekt për protestat e organizuara para selisë së partisë gjatë nëntorit të vitit të kaluar, si dhe për mungesë realizimi të reformave të premtuara, ndërkohë që mesazhi kryesor gjatë kësaj interviste relativisht të gjatë, la të kuptohej se në të ardhmen Sejdiu do t’i shpalosë edhe disa të “panjohura” për të gjitha zhvillimet e mëpastajme që kanë ndodhur në Lidhjen Demokratike të Kosovës.


Kryetari i LDK-së, dr. Isa Mustafa pas intervistës së ish-mikut të tij, dr. Fatmir Sejdiu tashmë do të përballet me një varg sfidash para elektoratit të tij dhe kështu heshtja e tij përballë mediave dhe elektoratit të LDK-së mund t’i sjell dy veprime të tij; ose fillimin e reformimit të thellë të LDK-së, ose “pajtimin” e tij se reformat në LDK janë veç një punë Sizifi.

Vrasja makabre e Drejtorit të Drejtoratit për Arsim në Komunën e Prishtinës, intervista e ish-shefit të LDK-së në Televizionin publik, vizita zyrtare me gjasë pa ndonjë agjendë të ndërtuar mirë në SHBA, përgatitjet përbrenda partisë për gjetjen e kandidatit për President të Republikës së Kosovës dhe reformat e premtuara, për kryetarin e LDK-së duket se do të jenë sfidat e radhës.

Reformat në LDK nuk ka mundur t’i priste edhe optimisti më i madh, për faktin se Kryesia aktuale dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në Kuvendin e fundit zgjedhor u disejnuan pikërisht nga dy ish-miqtë e pandashëm Sejdiu-Mustafa dhe si rezultat i këtij disejnimi, edhe kanë mbizotëruar të gjitha zhvillimet e mëpastajme në parti.

Përplasja indirekte që ka ndodhur muajve të fundit dhe që kulmoi me intervistën e fundit të dr.Fatmir Sejdiut në Televizionin publik, të kujton mitin për vëllezërit siamezë, që kur teshtinë njëri, sëmuret tjetri…

2.
Ditëve të fundit, lidershipi i Lidhjes Demokratike të Kosovës është duke i heshtur disa nga problemet e brendshme të saj, të cilat edhe kanë filluar të dalin mbi sipërfaqe. Sado jo e këndshme për lidershipin e LDK-së dhe strukturat e saj, dihet që në njërin nga qytetet më elitiste të Republikës së Kosovës në Gjakovë, tashmë veç i kemi dy degë të LDK-së, ndërkohë që ditëve të fundit, përplasjet në këtë parti janë shfaqur edhe në zgjedhjet për Kuvendin zgjedhor të Forumit Rinor të LDK-së.

Këto përplasje midis të rinjve të LDK-së po ndodhin vetëm për shkak të rivalitetit Sejdiu-Mustafa dhe për asgjë tjetër. Pati ndërprerje të procesit zgjedhor në Degën e Forumit Rinor të LDK-së në Podujevë. Pak ditë më vonë pasuan ndërprerjet edhe në Degën e Parë dhe të Tretë të FR të LDK-së në Prishtinë, derisa në Gjakovë, janë mbajtur kuvendet e dy “degëve” të FR të LDK-së në këtë qytet.

Në LDK mund të jenë të pranishme ndërprerjet dhe pengesat për çështje kapriçioze, por jo edhe çarjet e mëdha. Këtë “sëmundje” LDK e ka tejkaluar në dhjetorin e ftohtë të vitit 2006. Klanet brenda një partie politike janë normale dhe pikërisht për këtë, në disa parti politike në Britani të Madhe dhe shtete të tjera të Evropës edhe janë të lejuara me Statut.

Anëtarësia dhe strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës më në fund e kanë kuptuar se në Kuvendin zgjedhor të vitit të kaluar, në vend të një përmbylljeje me sukses të Kuvendit të Shtatë, në fakt veçse është hapur Kutia e Pandorës midis dy ish-miqve, Sejdiut dhe Mustafës. Që të dy ngjitjen në karrierën politike e kanë të ngjashme dhe në të njëjtën periudhë kohore. Ishin miq të pandashëm, janë të një moshe, pastaj që të dy vijnë nga e njëjta shkollë politike, ndërkohë që karrierën shkencore e kanë zhvilluar në të njëjtin Universitet.

Prononcimet e fundit të ish-kryetarit të LDK-së për rrjedhat e fundit në këtë parti, pastaj për raportet e tij me kryetarin aktual të LDK-së e parathonë më së miri se në LDK do të ketë grindje, por jo edhe ndarje. Duket që ish-kryetari i LDK-së, dr. Fatmir Sejdiu më shumë është i interesuar që të hyjë në negociata politike me lidershipin aktual që ta marr hisen e tij, se sa ta ndajë LDK-në. Qëllimi i Sejdiut duket sheshit; ose të rikthehet sërish në krye të LDK-së, ose të kandidohet për postin e Presidentit të Republikës vitin e ardhshëm.

3.
Ekzistojnë mundësitë që Lidhja Demokratike e Kosovës në një të ardhme jo të largët t’i nënshtrohet një procesi të ri zgjedhor, por që kësaj radhe përzgjedhja të mos ndodhte midis dy ish-miqve, por të gjendej opsioni i tretë. Është koha që një parti e djathtë me vlera tradicionale e qytetare në krye të saj të ketë një lider me shkollën e së djathtës evropiane, derisa lideri i ri t’i ketë edhe disa suksese të zbatuara në praktikë.

Ky mision nuk është i pamundur, por jo edhe i lehtë. Që nga themelimi i saj, në LDK asnjëherë dhe seriozisht nuk janë ndërtuar politika kadrovike dhe pikërisht për mungesë të këtyre politikave, LDK për herë të të parë që nga themelimi i saj në vitin 2007 doli parti e dytë. Reformat në LDK nuk mund të ndodhin me prurjen e njerëzve nga partitë tjera politike, por me avancimin e njerëzve brenda saj. LDK është organizatë e madhe politike që brenda saj ka resurse të mjaftueshme kadrovike e intelektuale, ku vetëm kërkohet seleksionimi i kujdesshëm i këtyre resurseve.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka të gjitha mundësitë për të bërë reforma, pasi është e vetmja parti politike shqiptare në Kosovë, e cila i ka ndërruar liderët e partisë, për dallim nga të gjitha partitë tjera, që asnjëherë nuk e kanë patur guximin për ndërmarrje të këtilla.

(Autori është bashkëthemelues i Qendrës për Informim të Kosovës, ku ka punuar nga dhjetori i vitit 1991 deri në mars të vitit 1999)