LAJMI I FUNDIT:

Berisha: Kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare është Edi Rama

Berisha: Kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare është Edi Rama

Në një deklaratë për mediat, këtë të hënë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha komentoi ngjarjen e Gramshit të ditës së shtunë, ku 2 shtetas rusë dhe një ukrainase u futën në uzinën e armëve dhe sulmuan dy ushtarë shqiptarë.

Berisha u shpreh se kërcënimi më i madh për sigurinë kombëtare është Edi Rama. Ai u rikthye 5 vite më parë, duke thënë se kryeministri ka publikuar në atë kohë organigramën e shërbimit shtetëror.

“Agresorët e ushtarëve në detyrë, u ndaluan dhe janë në hetim. Cila është lidhja e tyre me shërbimet duhet të qartësohet. Por e vërteta është se përdorimi i lëndëve djegëse dhe neuroparalizuese dhe toksike, kundër ushtarëve, komprometon thellësisht “misionin” e tyre turistik.


Unë sot jam këtu për të deklaruar, se kërcënimin më të madh në këto vite ndaj sigurisë kombëtare, me akte madhore e ka bërë personalisht, Edi Rama. Po ju rikujtoj këtu se 5 vite më parë në një mënyrë të pashembullt në historinë e një vendi, të lirë apo jo, mediat shqiptare publikuan të gjithë organigramën e shërbimit shtetërore, emër, mbiemër, degë dhe funksion. Ata publikuan dhe rrogat e tyre, duke ekspozuar kështu këtë shërbim ndaj të gjitha shërbimeve të tjera, jo miqësore.

Deklaroj këtu se këtë e ka bërë Edi Rama, pasi askush tjetër në Republikën e Shqipërisë, përveç kryeministrit që firmos çdo vit strukturën e SHISH, ka të drejtë të njihet me të, apo ta kërkojë atë”, tha Berisha. /A2 CNN/