LAJMI I FUNDIT:

Bekim Lumi në Festivalin e Grotowskit

Bekim Lumi në Festivalin e Grotowskit

Me ftesë të Institutit Grotowski, në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit, "Viti i Grotowski-t 2009", i cili po mbahet në Wroclaw të Polonisë prej 14 – 30 qershor , që prej disa ditësh po merr pjesë edhe regjisori Bekim Lumi.

Në këtë ngjarje me karakter ndërkombëtar Lumi, në cilësinë e regjisorit, të profesorit universitar dhe të Këshilltarit Politik të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Valton Beqiri, është ftuar nga Drejtori i Institutit Grotowski, Jaroslaw Fret.

Ky festival i përkushtohet 10 vjetorit të vdekjes së regjisorit legjendar Jerzy Grotowski dhe, njëkohësisht, 50 vjetorit të themelimit të Teatrit të 13 Rreshtave (më vonë Laboratori Teatror).

Në këtë festival, gjatë më shumë se dy javëve, me shfaqjet e tyre janë paraqitur regjisorët e kalibrit botëror, të tillë si Peter Brook, Eugenio Barba, Richard Schechner, Krzysztof Warlikowski, Theodoros Terzopoulos, Roberto Bacci, Anatoly Vassiliev, Tadashi Suzuki, Pina Bausch, Krystian Lupa etj., ndërkohë që në të, në kuadër të programit "Eastern Line", me shfaqjet e tyre janë paraqitur edhe disa teatro të tjera me karakter laboratorik – eksperimental nga vende të ndryshme të botës.


Festivali Ndërkombëtar i Teatrit dhe aktivitetet tjera përcjellëse në kuadër të “Vitit të Grotowski-t 2009" po mbahen nën patronatin e UNESKO-s.