LAJMI I FUNDIT:

BE mund të marrë masa ndaj Shqipërisë

BE mund të marrë masa ndaj Shqipërisë

I dërguari i posaçëm i BE, Miroslav Lajcak ka raportuar pranë komitetit për Ballkanin në Parlamentin Evropian lidhur me krizën shqiptare. Eduard Kukan, kryetar i Delegacionit për Ballkanin në Parlamentin Evropian (PE) dhe Hannes Swoboda nënkryetar i S&D në PE, deklaruan pas takimit mbështetje të plotë për punën e Lajcak dhe kërkuan nga politikanët shqiptarë të ulin tonët e të respektojë prokurorinë për hetimin e 21 janarit.

Eurodeputetët paralajmëruan gjithashtu se Bashkimi Evropian mund të marrë masa nëse kriza vazhdon, duke nënvizuar rëndësinë e madhe që marrin zgjedhjet lokale të 8 majit për procesin integrues të Shqipërisë.

“Në parim ne mbështesim punën e zotit Lajçak. U kërkojmë kolegëve tanë në Shqipëri që ta mbështesin plotësisht aktivitetin e tij, të frenojnë sulmet ndaj njëri-tjetrit dhe të ulen në një tryezë për të negociuar. Vetëm duke biseduar mbi ato çështje mund të gjendet një zgjidhje. Zoti Lajçak po ndihmon për këtë. Ai nuk ndërmjetëson palët, por ndihmon për këtë bisedim dhe ne e mbështesim plotësisht atë”, ka deklaruar Swoboda për Top-Channel.

Nga ana e tij, Kukan ka thënë se në këtë vizitë të dytë në Shqipëri, Lajcak tregoi se po merret siç duhet me këtë situatë të vështirë. “Ka mbështetje të plotë të komisionerit e shefes së tij, baroneshës Catherine Ashton, por dhe të eurodeputetëve. Të paktën, të gjithë ne që morëm pjesë në këtë takim të grupit të punës për Ballkanin, e inkurajuam atë që të vazhdojë këtë punë, derisa të gjendet një zgjidhje për të dalë nga ky ngërç që vijon prej një kohe të gjatë”, tha Kukan.


Swoboda shikon mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale të 8 majit për disa javë nëse për këtë do të gjendej një zgjidhje për krizën politike. “Nëse do të ishte e mundur që të gjenim një zgjedhje e të shtynim për disa javë këto zgjedhje, jam dakord, por zgjedhjet duhet të bëhen. Së dyti, nëse Shqipëria dhe sistemi politik shqiptar nuk do ta zgjidhë këtë çështje, ne duhet të mendojmë se çfarë duhet të bëjmë ne më pas me Shqipërinë? Ne nuk mundet vetëm që të shikojmë e vijojmë me negociata çfarëdo”.

“Në Shqipëri, politikanet shqiptarë duhet ta dinë se Bashkimi Evropian është gati për të vepruar, për të vepruar në mënyrë të tillë që nuk do të jetë e mirë për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Kjo është përgjegjësia e politikanëve shqiptarë që ata të bëjnë më në fund një aksion pozitiv, të bëjnë ndonjë hap përpara, të flasin me njëri-tjetrin e të gjejnë një zgjidhje. Hapi i parë i madh do të ishte që të bëheshin zgjedhje lokale të pastra, të ndershme e transparente”, ka thënë Sëoboda. /Telegrafi/