LAJMI I FUNDIT:

BE kërkon zgjidhje politike

BE kërkon zgjidhje politike

Zëdhënësja e Komisionerit të BE-së për Zgjerim, Natasha Butler tha të hënën se kriza në Shqipëri duhet të zgjidhet nëpërmjet bashkëpunimit mes palëve politike, mes qetësisë dhe pa dhunë.

“Nga kriza aktuale mund të dilet përmes bashkëpunimit të partive dhe përqendrimin në agjendën e BE-së për të përmbushur të ardhmen evropiane të vendit. Jemi duke ndjekur situatën nga afër dhe jemi në lidhje edhe me institucione dhe vende të tjera. Është shumë e rëndësishme të ruhet qetësia dhe të mos përsëritet dhuna. Është shumë e rëndësishme që liderët të përqendrohen në zgjidhjet që mund të gjejnë së bashku. Gjithçka është në dorën e dy liderëve politikë në Shqipëri. Shqipëria ka kërkuar t’i bashkohet BE-së dhe u takon dy liderëve që të gjejnë zgjidhjen. Liderët duhet të tregojnë përgjegjësi politike”, tha ajo e cituar nga media në Tiranë.

Butler theksoi se BE nuk mund të thotë se kush është përgjegjës për të premten, por është e rëndësishme që të përdoret retorika e qetësisë dhe palët të angazhohen për zgjidhje politike të kësaj krize.

“Janë disa prioritete kyç të kërkuara nga BE dhe një prej tyre është që të arrihet një shumicë e duhur në parlament që të miratohen disa ligje të caktuara në mënyrë që Shqipëria të sigurojë të ardhmen evropiane”, tha Butler, sipas Top Channel. /Telegrafi/