LAJMI I FUNDIT:

BE-ja e gatshme ta zbatojë vendimin për statusin e Kosovës

BE-ja e gatshme ta zbatojë vendimin për statusin e Kosovës

Shefat e shteteve apo të qeverive të vendeve anëtare të BE-së, në samitin e sotëm në Bruksel, vlerësojnë se Bashkimi Evropian duhet ta ketë roli kryesor në përmbylljen e procesit të statusit të Kosovës, kurse Serbisë i duhet dhënë mundësia që të bëhet kandidate për anëtarësim në Union, më një procedurë të përshpejtuar, vlerësohet në letrën përfundimtare të këtij samiti.

Këshilli i Evropës vlerëson se BE-ja është e gatshme ta ketë rolin kryesor në forcimin e stabilitetit në rajon dhe t’i zbatojë vendimet të cilat përcaktojnë statusin e ardhshëm të Kosovës, thuhet më tej në këtë tekst.

“Këshilli i Evropës nënvizon se procesi negociator, nën Treshen ndërmjetësuese, për statusin e Kosovës, është shterur. Në këtë kontekst, Këshilli shpreh keqardhjen e thellë për faktin se palët nuk kanë arritur një zgjidhje të pranueshme, pavarësisht nga përpjekjet gjithëpërfshirëse të Treshes”, vlerësohet në këtë dokument.

Po ashtu, përshëndetet edhe gatishmëria e Prishtinës e Beogradit që të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe ato që nxisin konfliktin.


Njëkohësisht, vendet e BE-së, në këtë samit, janë pajtuar me deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon se, status quo-ja në Kosovë është e paqëndrueshme dhe se duhet të ecet shpejtë në gjetjen e një zgjidhjeje e cila do ta qetësonte rajonin.

“Këshilli i Evropës shpreh besimin e tij se zgjidhja e statusit të Kosovës paraqet një rast unik (sui generis) një rast i cili nuk krijon asnjë presedan”, thuhet më tej në këtë dokument.