LAJMI I FUNDIT:

Basha: Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin

Basha: Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin

Në ditën e dytë të punimeve të Ministrialit të 16-të të OSBE-së, që po zhvillohet në Helsinki, ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Lulzim Basha, mbajti një fjalë gjatë së cilës theksoi rolin e OSBE-së në sistemin e sigurisë në Evropë, konfirmoi dhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë Kryesinë e radhës së OSBE-së në vitin 2012, si dhe u ndal në zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Duke u ndalur tek zhvillimet në Kosovë, Basha nënvizoi progresin e bërë gjatë 10 muajve të fundit, sidomos në drejtim të ndërtimit të një shteti demokratik dhe multietnik, në përputhje me planin Ahtisaari. “Pavarësia e Kosovës e ka stabilizuar rajonin tonë”, theksoi ministri Basha.

Në vijim, ministri Basha vuri në dukje se të gjitha vendet e rajonit po bëjnë progres të dukshëm në rrugëtimin e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ai shtoi se perspektiva evropiane dhe euroatlantike e Ballkanit Perëndimor, të qëndrueshëm dhe në paqe, nuk ka qenë kurrë kaq e qartë. /Telegrafi/