LAJMI I FUNDIT:

Ballkani dhe paqja diskriminuese

Fati i zgjidhjes së problemit politik të Ballkanit "nuk është" në duart e shoqërisë së saj, por "është" në duart e botës demokratike.

Bota demokratike nuk duhej të ishte në Ballkan për t’i privilegjuar shoqëritë e Ballkanit, apo se ndaj kujt duhet shprehur dashuri ma shumë e ndaj kujt më pak. Ajo duhej të ishte këtu për të dominuar ideologjinë demokratike, e cila ideologji provon t’i ruajë shoqëritë nga diskriminimi nacional, racor, fetar e politik.


Duke marr për bazë zhvillimin e politikave në Ballkan nga viti 1999 e këndej, në shumë rrethana politike na dalin se të privilegjuarit janë prapë kriminelët. Shikojmë zhvillimet politike në Kosovë nga paslufta e këndej, ku serbët me 2 për qind të popullatës kosovare nuk konsiderohen si minoritet, por konsiderohen si popull shtetformues. Nuk duhet frikuar se dikush ka të drejta ma shumë. Shqiptarët nuk i frikohen kësaj, por problemi qëndron se është një shkelje e parimeve demokratike: është politikë diskriminuese karshi minoriteteve tjera dhe shqiptarëve shumicë me mbi 95 për qind të popullatës. Marrim pastaj privilegjet e serbëve në përfaqësimin politik në Kuvend dhe institucione të Republikës së Kosovës, që janë pa bazë elektorale; krijimin e komunave të pastra serbe pa ndonjë arsye esenciale të jetesës por me shumë arsye dhe ndikime politike. Së fundmi, paralajmërimi i kompromiseve politike mes Institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Serbisë prapë do të ketë privilegje të veçanta për serbet e veriut.

Dihet që ideologjia demokratike nuk udhëheqë mbi bazën e injorimit, por me politikat e afrimit shoqëror. Madje është shumë e drejt dhe esenciale që edhe serbët të integrohen në këtë proces demokratik. Por, nuk duhet që në emër të integrimit të veprohet me politika diskriminuese për qytetarët e Ballkanit, në veçanti ndaj shqiptarëve. Bota demokratike po mundohet që stabilizimin politik të Ballkanit ta bëjë sa me më pak “tronditje”, mirëpo nuk është e drejt që shqiptarët prapë të pësojnë.

Fjala popullore se “të ligshtin fati e përcjell edhe atëherë kur ka pak shpresë”, qenka realitet. Realisht, për ne shqiptarët janë kohëra më të mira, mirëpo nuk do të thotë se i kemi punët më së miri. Ende kemi shqiptarë që diskriminohen nga e drejta për të jetuar si qytetar të dinjitetshëm. Ende ka shqiptar që jetojnë në trojet e tyre autoktone, e padrejtësisht brenda administrimit politik të Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi e Greqisë, dhe që realisht kanë probleme të identitetit të tyre kombëtar dhe të gëzimit të drejtave për të jetuar si gjithë qytetarët e tjerë të botës demokratike.

Nuk duhet të pretendoj bota demokratike se me një traktat paqeje mes Kosovës dhe Serbisë e ka zgjidhur përfundimisht problemin politik të shqiptarëve në Ballkan, apo të shoqërisë ballkanike në tërësi. Kjo ujdi edhe mund të jetë një fillim i mbarë, por do të jemi spektator të gjallë e do t’i shohim se këto të drejta që i kanë serbet në Kosovë, a do të jenë të realizueshme edhe për shqiptarët që sot jetojnë në administrimet e shteteve sllave. Madje, kjo do të jetë një sfidë e re e botës demokratike që Ballkanin e politikave diskriminuese ta kthej në Ballkanin e politikave demokratike, që do të siguronte një paqe ballkanike.