LAJMI I FUNDIT:

Autorët e huaj, për Skënderbeun: Kruja, themeli i një Evrope të re

Autorët e huaj, për Skënderbeun: Kruja, themeli i një Evrope të re

Shkrimet e mëposhtme të autorëve të njohur të huaj, janë marrë nga vepra: “Skënderbeu, Album-Antologji, 1413-2017”

FRANÇOIS-TIMOLÉON DE CHOISY (1644-1724): Skënderbeu, mburoja e Krishterimit, Hero gjenial.

Kam ndjekur me një kënaqësi të madhe hap pas hapi Skënderbeun në rrjedhën e fitoreve të tij. Është një Hero i Krishterë që Providenca ia kundërvuri Heroit më të madh të turqve dhe që u quajt për aq kohë sa jetoi mburoja e Italisë, që pa të, kjo do të ishte shkretuar mbi një herë. Në ngjarjet e jetës së tij ndjehet Romaku. Por janë ngjarje aq pranë në kohë dhe të vërtetuara nga aq shumë autorë të të gjitha kombeve, sa nuk ka fije dyshimi.


Ai ishte i pashëm, me trup të përkryer, i shkathët në tërë ushtrimet dhe me një forcë aq të pazakontë sa në luftë a në ndeshje kurrkush nuk guxonte ta përballte.[…] Shumë shpejt ra në sy dhe tregoi sa aftësi, po aq edhe vlerë, Hero i ri që bënte me gjenialitet atë çka kapitenët më të vjetër e bënin falë përvojës.

Vdekja e Muratit e shpëtoi Shqipërinë. Papa shprehu gëzimin e tij duke i dërguar Skënderbeut një legatë dhe dhurata. Ladislasi, mbreti i Hungarisë, Duka i Burgonjës dhe Princër të tjerë i dërguan gjithashtu ambasadorë. Por Mbreti Alfons i Aragonës e i Napolit u dallua ndër miqtë e tij: veç një shume të madhe në të holla, i bëri dhuratë treqind mijë ngarkesa me grurë dhe njëqind mijë me tërshërë, gjë që arriti pikërisht në çastin e duhur në një vend të shkatërruar nga ushtritë e mëdha. […]

Skënderbeu iu dorëzua dëshirës së shtetasve të tij, u martua me princeshën Donika, bija e Princit Arianiti, fqinj i Shqipërisë: bukuria dhe merita e saj e bënin të denjë për të qenë gruaja e një Heroi.

Lajmi i rënies së Kostandinopojës alarmoi tërë Princërit e Krishterë dhe i zgjoi nga përgjumja; u penduan që nuk kishin dërguar ndihma dhe pranuan pak më vonë se turqit duke mos u ndalur më në këtë pengesë, do të bashkonin pa vështirësi forcat e tyre të Azisë me ato të Evropës dhe do të vazhdonin lehtë pushtimet e tyre. Papa Nikolla V, u përpoq të vendoste paqen midis Princave të Krishterë për të formuar një Kryqëzatë. Shihej qartë se turqit po mblidhnin tërë forcat për të nënshtruar Skënderbeun, Mbretin e Shqipërisë së vogël që i kishte ndalur për vite të tëra. E shihnin këtë princ si mburoja e Krishtërimit dhe e kuptonin më së miri se sikur turqit ta nënshtronin, së shpejti do të ndodheshin në Itali.

Pal Engjëlli, Kryepeshkpi i Durrësit, këshilltari dhe miku i Skënderbeut, e shoqëronte këtë në tërë ekspeditat. Ky Prelat, tek i cili bashkoheshin një fisnikëri e lindur dhe një mendje e ndritur, një gojëtari që e ngrinte lart dhe një njohje e thellë e Shkrimit të shenjtë, e teologjisë dhe e Letrave të bukura, dhe sidomos një përshpirtshmëri e shëndoshë dhe zell i madh për Fenë, i kishte mësuar Skënderbeut greqishten e latinishten dhe e kishte arsimuar me themel në lëmin e doktrinës së krishterë. Nuk duhet çuditur që me cilësi të tilla të mëdha, ai ishte favoriti i Princit të tij.

Papa [Piu II] i dërgoi Skënderbeut shuma të mëdha në të holla dhe i shkroi se do vente vetë në Krujë për ta kurorëzuar Mbret të Shqipërisë, të Maqedonisë, Thrakisë e të Romanisë [Valakisë], duke e shpallur njëkohësisht Gjeneralisim të ushtrive të krishtera.[…] Skënderbeu sakaq po gatitej të hynte në Maqedoni, ndërkohë që mbreti i Persisë dhe Princërit e Karamanisë, të Sicilisë e të Kolkidës po mblidhnin trupat e tyre për të sulmuar turqit në Azi, dhe vetë duka i Burgonjës kishte premtuar të marshonte me një ushtri të sprovuar e të shumtë në numër; pra gjithçka dukej se ishte gati për Kryqëzatën e famshme, kur Papa, krejt i sëmurë siç ishte, u nis nga Roma për të shkuar në Ankona, nga ku do kalonte në Shqipëri.[…] Marazi, mosha dhe ethet goditën Papën [që] vdiq në moshën pesëdhjetë e tetë vjeçare, vitin e gjashtë të papatit të tij.

Më në fund Mehmeti, i xhindosur, erdhi vetë personalisht të rrethojë Krujën me njëqind e njëzet mijë vetë. Kishte nënshtruar perandorinë e Kostandinopojës, atë të Trebizondes, kishte detyruar pothuaj gjithë Princërit të shteteve fqinje t’i paguanin haraç.[…] Skënderbeu e shihte më së miri se vetëm me forcat e tij nuk mund të çante rrethimin. I shkroi Papës një letër fort prekëse:

[Letër e Skënderbeut për Papa Pavlin II].

“Mehmeti është zotëruesi i Azisë, dhe grekët, rashianët, tribaldët, ilirët janë nën zgjedhë; edhe Peloponezi është i nënshtruar dhe ai e ka plaçkitur njëzet herë Shqipërinë. Kam mbetur vetëm unë, At’ i Shenjtë për t’i rezistuar me një grusht ushtarësh që nuk kanë më vend në trup për të marrë plagë të reja, dhe as gjak për të derdhur për Republikën e Krishterë. Ju e dini At’ i Shenjtë që unë nuk jam kursyer dhe deri në çastin tim të fundit do të mbroj kauzën e Jezu Krishtit.”

Mehmeti, tek mori vesh vdekjen e Skënderbeut, e harroi seriozitetin e vet dhe briti duke kërcyer nga gëzimi: “Kush do më pengojë tani për të shkatërruar të Krishterët, kur ata e humbën shpatën dhe mburojën e tyre”.

FRANÇOIS CHARLES HUGHES LAURENT POUQUEVILLE (1770-1838): Lidhja e krishterë që bashkoi Skënderbeu nën flamujt e Kryqit meriton të kremtohet nga ndonjë Torquato Tasso modern.

Dihet se historianët e Skënderbeut përcaktojnë si kufi të mbretërisë së këtij Princi Gjirin e Ambrakisë dhe Gjirin e Kotorit. I shtyjnë drejt Lindjes kufijtë e tij, gjer në Serbi, gjë që i jep më shumë shtrirje nga territori që ishte në vartësi të mbretit të Maqedonisë.

Por duke lexuar historinë, vëmë re se ky princ kishte në të vërtetë në zotërim Krojën, Lisën, Dyrrahun dhe atë pjesë të Myzeqesë që shtrihet përgjatë bregut të djathtë të Apsusit. Pretendohet në të njëjtën kohë, se në cilësinë e tij si ‘Ushtar i Jezu Krishtit’ (titull që mbante), Skënderbeu ishte kryetar i një Lidhjeje, fisnikësh të fesë latine, që mbanin nën tituj të ndryshëm viset kryesore të Shqipërisë së Epërme.

Në Veri ishin fisnikët e Zadrimës, rajon në përafri me liqenin Labeatis dhe me Daimën në Dardani. Përfshinte nga ana tjetër nën flamujt e tij Pal Dukagjinin, vëlla i Nikollës; fiset e pavarura të Shimerës [Himarës], baronët e Argiro-Kastronit, të Titit të Poshtëm apo Titolisit, tani i quajtur Tebelen dhe të Komilës, kështjellë pranë Zhulatit. Në këtë katalog, nuk flitet për Artën, të cilën Siriaku i Ankonës e vizitonte pak a shumë në atë periudhë dhe që ai e quante Akarnani, as për Janinën, qytet atëherë i lulëzuar, edhe pse i pushtuar nga turqit.

Lidhja e krishterë që bashkoi Skënderbeu nën flamujt e Kryqit për të luftuar Amuratin, do e meritonte më së miri të kremtohej nga ndonjë Tasso modern, sepse të gjithë ata ishin të mëdhenj përpara Zotit, burra të lartë të asaj kohe për nga guximi dhe kreshnikëritë që bënë. Poeti na e thotë se si Ariamnites Thopia Golemi, luftëtar me origjinë të epërme dhe me autoritet të fuqishëm për shkak të fisnikërisë së stërgjyshërve të tij dhe zhdërvjelltësisë në artin e luftës, udhëhiqte skuadrilje të shumta kalorësie dhe batalione epirotësh të tmerrshëm për të pabesët.

Ky princ, i shtrënguar t’i nënshtrohet Amuratit ishte shndërruar në haraçpagues për të pas marrjes së Janinës nga Kara Eurenozi që mësyu kundër tij dhe shkretoi viset e pasura përreth asaj qyteze me jetë të lulëzuar. Urrejtja e tij ndaj të pabesëve u gjallërua pas thirrjes së Skënderbeut, i cili e grishi për shpagim. Donte të rivendoste nderin e lashtë të Epirit që ishte nën urdhrat e tij nga Ausa gjer në Gjirin e Ambrakisë: ky hero mbante nofkën I Madhi tek epirotët dhe tek maqedonët, për shkak të përkushtimit të tij ndaj kauzës së shenjtë të Ungjillit e Kryqit.

Do tregonin, krahas tij, Andre Topinë, rreshtuar nën të njëjtët flamuj, i ndezur nga dëshira për të ndëshkuar Turkanin, i cili kishte shkretuar Myzeqenë dhe kishte therur një mori toksidësh [toskësh] duke ngritur pranë Avlonës një trofe pirgu me koka të prera të krishterësh. I ndritur për nga armët dhe mosha e kaluar, ky prijës shoqërohej nga të bijtë, Komani dhe Muzakeja, nga nipolli Tanusiosi [Tanushi], të parët e të cilit kishin themeluar Krojën dhe Petrelën. I ngrinte trupat në luftim në territorin e lëvizshmërisë së tyre midis Epidamnit dhe Tiranës së vogël.

Përreth këtij princi marshonin zotëruesit-fisnikë të Sturias [Skurria], Sherabit (Krabusit- Kërraba), Furkës (Farka), Shimarrës dhe Vlikës, rreshtuar nën flamurin e Gjergj Stresit, i biri i Balshajve. Gjoni dhe Bojku, vëllezër këta që kishin zotërime të pasura midis Krojës e Lisës parapëlqyen të rrinin mënjanë, në vatrat e tyre, për shkak të moshës së thyer që kishin.

Përveç këtyre kapitenëve, u bashkëngjitën edhe shumë të tjerë, bashkuar me zemër e gjuhë të përbashkët me Skënderbeun, si princërit Pal e Nikolla nga fisi i Dukagjinëve. Këta të fundit zotëronin përtej Drinit provincën që Skipëtarët e quanin Zadrima e epërme, rajon i gjerë që shtrihet gjer në Misinë e Lartë, e pasur në fruta, burime, lumenj, dhe e banuar nga racë njerëzish të ashpër.

Do paraqisnim në skenë po ashtu Luk [Lekë] Zaharinë, fisnikun e Zadrimës së epërme, që Drini – i krahasuar me Eridanin nga historiani i tij -, e lag me ujërat e veta; Pietro Hispanusin [Pjetër Spani], Aleksi Bosdarin, Uroshin dhe Miroshin, të bijtë e tyre, si dhe Luk Dumanin, tërë këta mbretër të cilëve u bindeshin peonët, pelagonët dhe skardët, pa harruar shumë qyteza përreth Drivastit [Drishtit] e Balezës, si dhe më në fund Zernovitch-in, princi sovran i Liburnisë, me fisnikët e vet të pathyeshëm të Venedikut.

Kështu, Skënderbeu ishte drejtuesi i një kondefederate të gjerë fisnikësh, sa sovran dhe mbret, në pranimin e zakonshëm të këtyre titujve augustë.

FRANÇOIS-BENOÎT HOFFMAN (1760-1828): Skënderbeu, i barabarë me ata që Lashtësia i bëri gjysmë-perëndi.

Skënderbeu ka qenë njeriu më i shquar i kohës së tij, dhe në një fushë-veprimi më të gjerë, do të kishte qenë i barabartë me ata që Lashtësia i bëri gjysmë-perëndi. Duhet të jesh tërësisht analfabet që të mos kesh lëçitur emrin e Skënderbeut.

RENÉ FRANÇOIS ROHRBACHER (1789-1856): Heroi i Shqipërisë mbrojti i vetëm Evropën e krishterë.

Me vdekjen e Huniadit, Evropa e krishterë, ndër gjithë princërit e mbretërit, nuk gjeti veçse një të vetëm që kërkonte ta mbronte: ky ishte heroi i Shqipërisë. Kur Mehmeti II mori Kostandinopojën, në vitin 1453, dhe nënshtroi më pas Morenë, Skënderbeu, jo vetëm që nuk pyeti për tmerrin që kishte mbërthyer krejt krishtërimin, por, pa e shkuar kurrë ndër mend të rrinte në mbrojtje, vendosi, pasi grishi më kot princërit e krishterë për të bashkuar forcat nën udhëheqjen e tij, t’i shpallte i vetëm luftë sulltanit.

U hodh në Maqedoni, në krye të tetë mijë vetëve, mori një numër kështjellash dhe spastroi fshatrat nga otomanët. Sulltani pretendoi se nuk donte të luftonte vetë ai kundër një kundërshtari aq të dobët, kur në fakt, ai trembej të përballej me një kapiten aq të madh. Tre vjet me radhë zëvendësit e tij më të mirë sulmuan Epirin në krye të ushtrive të shumta dhe tre vjet me radhë ata u mundën; Skënderbeu diti aq mirë të përfitonte nga thyerjet e terrenit dhe nga rrethanat që krijonte rastësia sa arriti t’i dërrmonte a t’i dëbonte tërë trupat që i kundërviheshin.

Vetëm një njeri i dërgonte ndihma dhe inkurajime; ky ishte papa Kaliksti me të cilin ai mbante letërkëmbim të vazhdueshëm. Më 1457, ky sovran i dërgoi një shumë të madhe të hollash nga të dhjetat e vjelura për kryqëzatën në viset përreth; krahas kësaj ndihme, i dërgoi edhe shumë galera me armatime. Në mënyrë të vazhdueshme e nxiste me letra, duke e njohur për mbrojtësin kryesor të krishtërimit, si dhe u bënte të ditur princërve të tjerë se në këtë mision ai po vepronte pothuaj i vetëm. Flota e papës komandohej nga Louis, kardinal patriark i Akilesë. Duke kombinuar veprimet e tij me ato të Skënderbeut, arriti mjaft suksese mbi turqit, mposhti flotën e tyre në çdo rast dhe u mori shumë ishuj, midis të tjerave ato të Mitilenës dhe Lesbosit. […]

Duke ndjekur shembullin e paraardhësve të vet, Papa Pali II u përpoq fillimisht të gjente mjetet për të mposhtur fuqinë e osmanëve, ose të paktën për të ndalur vazhdimin e pushtimeve të tyre në tokat e të krishterëve.[…]

Por, siç thonë autorët e asaj periudhe, as fitoret e turqve, as gjendja e mjerë e fesë, as lëvizjet që Pali II bëri gjatë drejtimit të Kishës për një objektiv aq të lavdishëm dhe një kauzë aq të drejtë nuk mundën të mposhtnin indiferentizmin e kreut [Perandorit Frederic IV] dhe të anëtarëve të Perandorisë. Do u duhej diçka nga shpirti i Skënderbeut. Ky njeri i madh, duke respektuar autoritetin e papa Palit II dhe kërkesat e Ferdinandit I, mbret Napolit, përshkoi Adriatikun me një korpus të përzgjedhur të trupave shqiptare dhe shkoi të çlirojë qytetin e Barit, ku Ferdinandi ishte i rrethuar; e rivendosi atë në zotërim të qytezës së Tranit dhe ndihmoi fuqimisht në fitoren që arriti ky sovran në Trojë më 18 gusht 1462 ndaj Jean d’Anjou, kundërshtari i tij. Shërbimet që i bëri Skënderbeu mbretit të Napolit iu shpërblyen nëpërmjet dhënies dhuratë të qytezave të Tranit, Sipontes dhe Saint-Jean-le-Rond.

Përherë triumfues ndaj armiqve të emrit të krishterë, Skënderbeu ngadhënjeu mbi ta dhe i detyroi të braktisnin me turp rrethimet. Shqipëria, provincë e varfër, e shkretuar, e padepërtueshme me grykat e veta, e mbrojtur nga një hero dhe nga ushtarë që shiheshin si të pathyeshëm, e turpëronte çdo ditë kryeneçë-sinë e Muhametit. Ai u përpoq shumë herë ta hiqte qafe Skënderbeun, dhe i bindur se nuk mund ta mposhtte dot, u orvat ta vriste, por tradhtia iu zbulua dhe vrasësit pësuan vuajtjen e fundit.

Ashtu si Godefroi de Bouillon, Skënderbeu kishte forcë trupore të jashtëzakonshme. I bashkohej kësaj force kalitur përmes sprovash, një guxim dhe gjallëri po aq të mahnitshme. Edhe pse Kruja ishte kryeqyteti i shteteve të tij, ai banonte rrallë aty dhe nuk kishte, të themi, vendqëndrim të ngulur, por ndodhej kudo ku ishte e nevojshme prania e tij. Përpara armikut, ditë e natë, ai ishte mbi kalë; herë në terren të zbuluar, herë në fushim, duke inspektuar një për një trupat dhe duke u siguruar për gatishmërinë e tyre të lartë, ai ishte përherë i pari në luftë dhe i fundit në tërheqje; nuk kishte pikë fronti ku ai të mos ndodhej e të mos luftonte si ushtar i thjeshtë. Ky guxim i shpalosur është i domosdoshëm për të ndezur shpirtin luftarak të trupave dhe nuk e pengonte të zotëronte tërë cilësitë e një gjenerali të shkëlqyer.

Edhe pse i ashpër në fushën e disiplinës ushtarake, popullariteti që gëzonte, shpirtmadhësia dhe bujaria që e karakterizonin e kishin shndërruar në idhull në sytë e ushtarëve të tij; ishte tmerri i turqve, që gjithnjë i kishte mposhtur gjatë njëzet e tre vjetëve dhe mbi njëzet e dy beteja, në një kohë kur mbarë Evropa dridhej para tyre dhe kur fuqia e tyre kishte arritur kulmin. Ai me siguri do ta kishte penguar marrjen e Kostandinopojës dhe do t’i kishte ngritur digë fuqisë osmane, nëse fuqitë e krishtera dhe veçanërisht venedikasit do ta kishin ndihmuar me trupa e me financë atë luftëtar aq sypatrembur sa ç’ishte Heroi Shqiptar.

GUILLAUME APOLLINAIRE (1880-1918): Kruja, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut, themel i një Evrope të re.

Çështja shqiptare u duket diplomatëve që rregullojnë fatet e botës, tepër e vogël në krahasim me çështjet tepër të mëdha që i detyrohen vëmendjes së Gjithësisë së tronditur. Diplomatët e mëdhenj ndoshta gabohen. Ndoshta, krejt të habitur, do venë një ditë në Janinë a Krujë, kryeqyteti i lashtë i Skënderbeut, të vendosin, me dorë të pasigurt, themelet e një Evrope të re. /Fotaq Andrea/

Në trend Kultura

Më shumë
Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Historia e shqiponjës dykrenëshe, flamurit kuqezi dhe himnit shqiptar

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Art me letër

Art me letër

Kulture
NJI AKUZË JO E DREJTË

NJI AKUZË JO E DREJTË

Fjala+
RRUGA DREJT PAQES

RRUGA DREJT PAQES

Poezi
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
Kalo në kategori