LAJMI I FUNDIT:

Aspekte antikushtetuese gjatë rangimit të listave të deputetëve

Referuar Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në vendin tonë, shpesh herë është thënë dhe theksuar se përmban zgjidhje juridike të mangëta, të kunderthënshme me zbrazëtira juridike të konsideruara. Duke i pohuar edhe ato defekte, po ai dokument juridik në aplikim, për të qenë e keqja edhe më e madhe, përmban edhe zgjidhje juridike antikushtetuese (sic).

Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme, në aplikim, edhe gjatë zgjedhjeve kuvendore nisur nga dhjetori i vitit 2010, e disi dhe dosido, përfunduar në muajin shkurt të vitit 2011, ndër të tjera, edhe për shkak të defekteve normative, terminologjike e konceptore dhe përgjithësisht nomoteknike, ka shkaktuar një mori të spekulimeve abuzive deri në masën e kualifikimit të atyre zgjedhjeve të dështuara keq (sic).


Në këtë rast, do të përqendrohesha vetëm në dispozitën e nenit 27 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, e cila është në kundërthënie të drejtpërdrejt, fillimisht me dispozita të caktuara të po atij Ligji ( kolision intern legal), e rrjedhimisht dhe, edhe më keq (A Fortiori) edhe me dispozita përkatëse të Kushtetutës! Rrjedhimisht, gjatë zbatimit të asaj dispozite, pashmangshëm janë kualifikuar për deputetë edhe kandidate, të cilat, sipas parimit të barazisë para ligjit, pa favorizimin gjinor inkonsekuent dhe inkonsistent, në asnjë rrethanë nuk do të mund të promovoheshin në atë status juridik!

Konkretisht, dispozita e nenit 27/1 të LZPK-së përcakton se në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik, së paku 30 % të jenë meshkuj dhe së pakut 30% të jenë femra me nga një kandidat të secilës gjini, përfshirë së pakut një herë në secilin grup prej tre kandidatëve që numërohet nga kandidati i parë në listë! Konform po kësaj dispozite, në rang listën përfundimtare për deputetë, pavarësisht nga numri i votave të fituara në zgjedhje, çdo e treta (eventualisht, i treti) duhet të jetë femër eventualisht mashkull! Zgjidhja juridike e tillë nuk përkon me precedenca të mira as me zgjidhje kushtetutare të cilitdo shtet demokrat bashkëkohor! Përkundrazi, zgjidhja e tillë “në emrin e barazisë gjinore” shkakton formula violente, arbitrare, ireale, artificiale dhe mbi të gjitha antikushtetutare, sepse shpeshherë deputeti i kualifikuar disa herë me më shumë vota duhet t’ia koncedojë mandatin kandidates, jo me një apo disa vota më pak, por në raste të caktuara edhe me shumëfish vota më pak!

Kështu, dispozita e nenit 27/1 e LZPK-së,
– është në kundërshtim me dispozitën e nenit 2 /2 dhe 2/4 të të njëjtit Ligj ( kolision legal intern), sepse,
– sipas nenit 2/2 të LZPK-së , zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin Republikës së Kosovës, mbahen në bazë të votës së lirë(shme), të përgjithshme , të bara-bartë, të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë, si dhe, sipas par. 4 të po këtij neni, çdo qytetar i Kosovës ka të drejt për të votuar dhe për tu zgjedhur pa diskriminim në bazë të racës, etnisë, ngjyrës, gjuhës, besimit fetar apo bindjes politike, arsimit, përkatësisë sociale apo ndonjë kriteri tjetër të ngjajshëm!

Seandejmi, dispozita e nenit 27/1 e LZPK –së, rezulton të jetë në kolision intern legal me parimet themelore të normuara me dispozitat e neneve 2/2 dhe 2/4 të LZPK-së përkitazi me votën, të cilitdo votues si dhe me statusin juridik të njëjtë, të barabartë, të paprivilegjuar me asgjë, pra as me përkatësinë gjinore të të votuarit/es!

Aq më shumë ( Condictio Ad Fortiori), kur dispozita e nenit 27/1 i LZPK-së, është në kundërshtim direkt edhe me parimin kushtetutar për barazinë para ligjit, përkatësisht me dispozitën e nenit 24/1 dhe 24/2 të Kushtetutës me të cilin është përcaktuar se: “Të gjithë ( qytetarët) janë të barabartë para ligjit … dhe, askush nuk mund të diskriminohet në bazë të … gjinisë …”. Pra, me dispozitën e kontestuar, me nenin 27/1 të LZPK-së, fillimisht, në kundërshtim me parimet themelore dhe me dispozitat e theksuara të të njëjtit akt ligjor (sic) e, rrjedhimisht, dhe aq më shumë, edhe në kundërthënie me dispozitën e nenit 24/1/2 të Kushtetutës, madje, mekanikisht, vullnetarisht dhe arbitrarisht favorizohet në, saje të gjinisë (seksit) kandidati/ja për deputet edhe kur nuk ka numër të nevojshëm për tu zgjedhur, e aq më keq, kur, në bazë të saj, rangimi praktikohet nw dëmin e kandidatit/es për deputet-e me më shumë vota në favorin e kandidatit/es me më pak vota –sic/.

Aktualisht, në procedurën e radhitjes së deputetëve, në vend, sipas numrit të votave, pavarësisht nga veçantitë, me bazë të përjashtuara me dispozitën e nenit 24/1/ 2 të Kushtetutës, pra edhe nga komponentë e përkatësisë gjinore, në zbatim të dispozitës së kontestuar të nenit 27/1 të LZPK-së, krijohet listë inkonsekuente, inekzistente, ireale dhe e padrejtë e rangimit të deputetëve, në vend të fuqisë nga votëbesimi i fituar, sipas përkatësisë gjinore duke disfavorizuar çdo të tretin kandidat të kualifikuar, në një anë dhe duke favorizuar kundër-kushtetutshëm çdo të tretën kandidate (sic) edhe kur ka, jo vetëm disa, por shumë herë më pak vota!?

Në atë mënyrë, në aplikim të dispozitës kundër-kushtetuese, të kontestuar, të nenit 27/1 të LZPK-së, “në emër të barazisë gjinore” shkaktohet pabarazi gjinore e thellë dhe drastike, sepse:

– votuesit i tjetërsohet e drejta themelore referuar votëbesimit të adresuar konkretisht, lirshëm e demokratisht, pasi që gjatë krijimit të rang listës së deputetëve dhe “gjatë sigurimit të barazisë gjinore”, artificialisht dhe arbitrarisht i neglizhohet vullneti politik i shprehur nëpërmjet votës për kandidatin e caktuar (sic) ;

– kandidati i kualifikuar për deputet, nëse do të ishte i katërti me radhë sipas numrit të votave “për hir të sigurimit të barazisë gjinore” sipas nenit 27/1 të LZPK –së, pikërisht sakrifikohet në dëmin e pakompensuar në bazë gjinore, sepse edhe kur do të kishte jo një apo disa vota më shumë, por edhe në rastin kur do të kishte dyfish me shumë vota, do të ç’vendosej në favorin të kandidates së privilegjuar padrejtësisht (sic) dhe ,

– përfundimisht, gjatë aplikimit të dispozitës së kontestuar dhe kundër-kushtetutare të nenit 27/1 të LZPK-së, në vend të krijimit të strukturës së drejt të legjislativit, të mbështetur në votëbesimin adekuat të deputetëve, në masë të konsideruar, numër jo i vogël i deputeteve, në vend të zgjedhjes dhe mandatimit legal, virtuelisht, kooptohen administrativisht në legjislativin, institucionin më relevant të cilitdo shtet demokrat në bashkëkohësi!

Përfundimisht, premisa dhe postulati referuar barazisë gjinore është qenësor, jo vetëm për vendin tonë, por për cilindo vend demokrat e bashkëkohor, i cili edhe këtu si dhe gjithandej do të duhej të sigurohej, jo me privilegje antikushtetutare, por me dhe nëpërmjet instrumenteve, mekanizmave dhe metodave të bazuara në parimet kushtetutare dhe në dispozitat ligjore në zbatim.

Në trend

Më shumë
“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

“Salah është lojtari më egoist që kam parë ndonjëherë”, legjenda e Liverpoolit godet egjiptianin

Premier League
A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

A po shkojnë Ukraina dhe Rusia drejt bisedimeve?

Botë
Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Banorët shohin natën e parë të BBVA 3, Juli shpërthen në lot kur pa të atin: Para se të vdiste, ai më tha mos e tradhto Julin e vërtetë

Magazina
Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Ten Hag zbulon emrin e superyllit që Man Utd nuk arriti ta nënshkruajë në verë

Premier League
Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Gjilan, një person refuzon të ndalet para policisë - polici përmes xhamit ia merr çelësat dhe fikë veturën e tij

Kronika e Zezë

"Je surpriza e këtij Big Brother" - Meriton Mjekiqi emocionohet nga mesazhi që merr në 'Big Love'

Magazina
Kalo në kategori