LAJMI I FUNDIT:

Ashton dhe Fule kërkojnë kompromis urgjent

Ashton dhe Fule kërkojnë kompromis urgjent

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherinë Ashton dhe komisionari për zgjerim Stefan Fule, përmes një deklarate të përbashkët kanë kërkuar gjetjen urgjente të kompromisit mes palëve.

"Ne u bëjmë thirrje për qetësi, urgjentisht, të dyja forcave politikë të cilat duhet të shmangin provokimet. Në mënyrë që Shqipëria të përparojë në rrugën e saj evropiane, ne përsëri i bëjmë thirrje politikanëve shqiptarë për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv politik, për zgjidhjen pa vonesa të mëtejshme të ngërçit politik, dhe kërkojmë të mobilizohen energjitë e vendit drejt këtij qëllimi", thuhet në deklaratë.

Po të hënën, liberaldemokratët në Parlamentin Evropian folën për nevojën e një ndërmjetësimi ndërkombëtar për krizën në Shqipëri. Zëdhënësja e grupit parlamentar liberlademokrat, Marie Tieshake, kërkoi që klasa politike në vend të ulë tonet.

“Janë të papranueshme përleshjet në Tiranë për një vend që aspiron të bëhet pjesë e BE-së. Jam e shokuar nga dhuna, si dhe nga qëndrimet e kryeministrit Berisha dhe liderit të opozitës, Rama. Shefja e politikës së jashtme të BE, Catherine Ashton, duhet të caktojë një ndërmjetës nga BE për Shqipërinë, për të kthyer dialogun e arsyeshëm politik në këtë vend dhe që qytetarët të mos zhgënjehen më nga partitë politike”, tha Tieshake e cituar nga Top Channel.


Tieshake ka bërë thirrje për një hetim mbi tre viktimat e protestës së 21 janarit, si dhe ka paralajmëruar një debat të posaçëm për Shqipërinë në Parlamentin Evropian. /Telegrafi/