LAJMI I FUNDIT:

Ashpërsohen akuzat mes Berishës e Ramës

Ashpërsohen akuzat mes Berishës e Ramës

Kreu i mazhorancës Sali Berisha dhe ai i opozitës Edi Rama po shkojnë drejt një armiqësie gati të pashembullt në historinë 20 vjeçare të pluralizmit shqiptar.

Marrëdhëniet mes tyre, vazhdimisht mjaft të tensionuara, precipituan në këtë pikë pas ngjarjeve të përgjakshme të 21 janarit para selisë së qeverisë shqiptare, kur demonstrata e paralajmëruar e opozitës e cila akuzon qeverinë për korrupsion dhe vjedhje votash, u kthye në një përleshje të demonstruesve me trupat e policisë dhe gardës, bilanci i të cilës ishte 3 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur, shkruan BBC.

Kryeministri Berisha e akuzoi kreun socialist për një tentativë për grusht shteti, ndërsa e paralajmëroi drejtpërdrejtë se do të mbante përgjegjësi personale nëse ngjarjet përsëriteshin. “Tentove më të rrethosh kryeministrinë, do gjesh vetëm atë që meriton banditi”, paralajmëroi Berisha, kreun socialist gjatë mbledhjes së kabinetit të tij, të dielën.

Nga ana e tij Rama i konsideroi këto deklarata si kërcënim, por përsëriti se protestat e opozitës nuk do të ndalen. Ai tha se dhuna nuk është një instrument i përdorshëm nga opozita dhe se përjashtohet çdo mundësi e përdorimit të saj. “Nuk e konsiderojmë dhunën një instrument të përdorshëm. Përjashtojmë çdo mundësi të përdorimit të dhunës dhe refuzojmë çdo individ që konsideron dhunën si mundësi tonën”, tha udhëheqësi socialist, Edi Rama.


Ai këmbënguli se ngjarja e 21 janarit është vepër e kryeministrit Berisha, “ por sot është e qartë se ky skenar ka dështuar …”, tha ndër të tjera ai.

Parlamenti shqiptar u thirr të dielën në një seancë urgjente, por opozita ka refuzuar të marrë pjesë. /Telegrafi/