LAJMI I FUNDIT:

Arvizu: Zgjedhjet e 8 majit të jenë më të mira se ato të 2009

Arvizu: Zgjedhjet e 8 majit të jenë më të mira se ato të 2009

Ambasadori amerikan Aleksandër Arvizu, i cili vizitoi të mërkurën qytetin e Vlorës, e cilësoi 21 janarin një ngjarje të tmerrshme, por ritheksoi domosdoshmërinë e një hetimi të pavarur nga prokuroria.

Arvizu shprehu mbështetje për organin e akuzës për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Ambasadori tha se “prokuroria duhet lënë të hetojë në mënyrë të paanshme" dhe se "është shumë e rëndësishme që ky hetim të bëhet në mënyrë të drejtë, të logjikshme dhe pa ndërhyrje”.

“Zgjedhjet lokale të 8 majit duhet të jenë më të mira se zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009”, tha ai. Arvizu u takua në Vlorë me kryetarin e bashkisë Shpëtim Gjika, të cilit i tha se kishte mbetur “i burgosur” nga politika në Tiranë dhe nuk kishte mundur të shkonte më shpejt në Vlorë.

Lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore, ambasadori Arvizu tha se ato duhet të zhvillohen në përputhje me Kushtetutën. “Është shumë e rëndësishme që këto zgjedhje të mbahen më 8 maj, siç e kërkon dhe Kushtetuta shqiptare. Për mua është e rëndësishme dhe me shumë kuptim ta them këtë jashtë Tiranës, në Vlorë, që nuk është kryeqyteti i Shqipërisë. Është një mundësi për qytetarë, të zgjedhin drejtuesit e tyre”, tha përfaqësuesi i Washingtonit në Tiranë.


Ambasada amerikane do të zhvillojë dhe një konkurs për sloganin më të mirë të zgjedhjeve të 8 majit. /Telegrafi/