LAJMI I FUNDIT:

Arvizu takoi policët para protestës së të rinjve socialistë

Arvizu takoi policët para protestës së të rinjve socialistë

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu takoi të premten policët në Ministrinë e Brendshme, vetëm pak çaste para nisjes së protestës së FRESSH-it përpara godinës së Ministrisë.

Në kalimin e tij ‘rastësor’ para Ministrisë së Brendshme, ambasadori Arvizu ka takuar forcat e policisë, duke përcjellë kështu edhe mesazhin për një funksionim sa më të qetë të protestës së FRESSH-it, raportoi Ora News.

Të rinjtë e forumit eurosocialist po kërkojnë largimin e ministrit Basha, duke e konsideruar atë një nga përgjegjësit kryesorë për vrasjen e katër demonstruesve gjatë demonstratës së 21 janarit.

Aktivistët e forumit rinor të PS mbajnë në duar parulla kundër ministrit si dhe foto me portretin e tij të përshkuara nga një vizë e kuqe.


Kryetarja e FRESSH, Elisa Spiropali i ka deklaruar për Top News, se ministri Basha dhe gjithë qeveria duhet të largohen sa më parë. “Në krye të Ministrisë së Brendshme rri një njeri që u keqpërdor dhe vrau popullin e tij. Duhet të largohet sa më parë kjo qeveri që nuk mban përgjegjësi për jetën e qytetarëve të saj”, ka thënë Spiropali.

Partia Socialiste përsëriti të premten akuzat ndaj qeverisë, duke e akuzuar atë për shitje armësh në vendet arabe. Deputeti socialist Blendi Klosi tha se qeveria po furnizon me armë dy regjime të egra, siç janë ato të Jemenit dhe Iranit. /Telegrafi/