LAJMI I FUNDIT:

Arti shqiptar në Bienalen e Venecias

Arti shqiptar në Bienalen e Venecias

Artistët shqiptarë kanë mundur të ballafaqojnë artin shqiptar me atë të huaj në një eveniment të rëndësishëm të artit, siç është Bienalja e Venecias.

Edicioni i 53-të i këtij evenimenti kulturor, u çel këto ditë në Venecia dhe në të marrin pjesë artistë të ardhur nga 80 vende të ndryshme të botës. “Korsing”, titullohet projekti i artistëve shqiptarë që trajton temën e afrimit nga periferia drejt qendrës, i mbështetur nga kuratori i “ArtKontakt”, Andi Tepelena.

Sipas tij, tashmë arti shqiptar nuk është vetëm pjesë periferike e artit global, por po i afrohet gjithnjë e më shumë qendrës. Artistët pjesëmarrës që ekspozojnë punimet e tyre janë, Robert Aliaj Dragoti, Venera Kastrati, Eliza Hoxha, Klodian Deda dhe Artan Shabani, i cili jeton prej vitesh në Itali.

Pjesëmarrja e artistëve shqiptarë në bienalen më të madhe të artit ka nisur që në vitin 2005, kur Shqipëria u prezantua në mënyre zyrtare me artistin e njohur kosovar Sislej Xhafa. Viti 2007, shënoi një tjetër pjesëmarrje edhe pse me mjaft kontestime e polemika, ndërsa këtë vit prezantimi në bienalen e Venecias u injorua nga shteti shqiptar, duke bërë që artistët të merrnin pjesë privatisht. /TCH/