LAJMI I FUNDIT:

Arsimi mbetet prioritet për qeverinë

Arsimi mbetet prioritet për qeverinë

Kryeministri Berisha deklaroi të premten gjatë ceremonisë së përurimit të sallës “Silvano Pedrolo” në Universitetit Politeknik të Tiranës se për qeverinë shqiptare arsimimi mbetet prioriteti më madhor.

“Gjatë këtyre viteve ne e kemi ndihmuar botën akademike me masa dhe ligje të reja, edhe ajo ka bërë mjaft përparime nga ana e saj. Transformimi është i mrekullueshëm”, u shpreh Berisha.

Duke renditur sukseset e arritura në fushën e arsimit, veçanërisht sa i përket pranimit në universitete, kryeministri nënvizoi se nëse deri më tani është rendur pas sasisë, tani e tutje do të synohet drejt cilësisë. “Ora globale është ajo me të cilën ne duhet të ecim me çdo kusht. Sot ne ecim drejt Bashkimit Evropian, heqja e vizave ka qenë një ngjarje historike për shqiptarët, por para së gjithash për pedagogët, studentët etj, sepse munden të ndërmarrin bashkëpunimet më të ngushta dhe të suksesshme me universitetet më të mira të botës”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri i garantoi ata se qeveria është e vendosur t’i mbështesë të ndjekin studimet master apo doktoraturë në universitetet më të mira të botës, pasi arsimi dhe shkollimi është leva e Arkimedit për zhvillimin. /Telegrafi/