LAJMI I FUNDIT:

Ambasada amerikane paralajmëron qytetarët për mashtrime me vizat

Ambasada amerikane paralajmëron qytetarët për mashtrime me vizat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë paralajmëron të gjithë të interesuarit për mashtrime për Vizat e Shumëllojshmërisë (DV). Me anë të një reagimi, kjo ambasadë u bën me dije qytetarëve se "nëse keni marrë postë elektronike (e-mail) që ju lajmëron se aplikimi juaj për programin e DV-së ka qenë i suksesshëm dhe ju kërkohet që të dërgoni para në emër të një individi apo biznesi, ju mund të bëheni viktimë e një mashtrimi nëse i përgjigjeni atij e-maili".

Ambasada bën të ditur se në vitet e mëparshme, kandidatët e suksesshëm të DV-së njoftoheshin nga Departamenti i Shtetit, Qendra Konsullore Kentucky (QKK), nëpërmjet postës me letër – jo me e-mail – dhe u jepeshin udhëzime se si të vazhdonin hapin e ardhshëm të atij procesi. Në njoftim thuhet se "qendra Konsullore Kentucky nuk do t’ju kërkojë kurrë të dërgoni para".

"Nëse keni aplikuar për DV-2012, njoftimi zyrtar i përzgjedhjes do të bëhet online duke filluar nga data 1 Maj 2011 në faqen e internetit http://www.dvlottery.state.gov/, nëpërmjet opsionit Kontroll i Statusit të Aplikimit (Entry Status Check). Kjo është e vetmja mënyrë në të cilën ju do të merrni njoftim mbi statusin e aplikimit", sqaron Ambasada.

Më tej thuhet se "nëse jeni përzgjedhur, atëherë duhet t’i përgjigjeni udhëzimeve të njoftimit që mundësohet nëpërmjet Kontrollit të Statusit të Aplikimit. Procesimi i rastit tuaj do të fillojë vetëm pasi t’i jeni përgjigjur Kontrollit të Statusit të Aplikimit".


Në këtë pikë, aplikuesit për vizë mund të marrin komunikim me e-mail direkt nga Qendra Konsullore Kentucky (QKK), e cila mund të informojë për të shqyrtuar Kontrollin e Statusit të Aplikimit për informacione të reja në lidhje me aplikimin tuaj. "Por QKK-ja kurrë nuk do t’ju informojë përpara kësaj pike dhe ajo kurrë nuk do t’ju kërkojë t’i dërgoni para", theksohet në deklaratën për mediat. /Telegrafi/