LAJMI I FUNDIT:

AKR mban Kuvendin zgjedhor

AKR mban Kuvendin zgjedhor

Aleanca Kosova e Re po mban Kuvendin e tretë zgjedhor ku gjatë ditës pritet të zgjedh kryetarin dhe këshillin drejtues. Lideri i saj, Behgjet Pacolli, tha se në të ardhmen partia që ai drejton do të jetë transparente dhe përgjegjëse në interesin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës si dhe shtet-bërjen e Kosovës evropiane, demokratike dhe ekonomikisht të fuqishme. Të pranishëm në Kuvendin e tretë zgjedhor të AKR – së, ishin edhe figura të rëndësishme politike vendore dhe ndërkombëtare.

Në pranin e shumë mysafirëve vendor dhe ndërkombëtarë, lideri i AKR – së, Behgjet Pacolli, premtoi se AKR – ja do të punojë për një Kosovë ku institucioni do të shkojë te qytetari, për një Kosovë me ekonomi të zhvilluar, dhe jetë dinjitoze të qytetarëve të vet, tha

“Unë së bashku me ju në nëntor të këtij viti do të dalim për herë të dytë në zgjedhje. Unë dhe ju do t’u tregojmë qytetarëve se çka do të bënim më mirë dhe më shumë se sa të tjerët. Do tu tregonim se çka do të punonim më mirë se ata të LDK – së në Prishtinë, të PDK – së në Gjilan dhe ata të AAK – së në Pejë. Do t’u tregojmë qytetarëve se AKR – ja din të punojë më mirë, më transparente dhe më përgjegjëse” tha ai.

Në emër të Qeverisë punimet e kuvendit të tretë të AKR – së i përshëndeti, zv.kryeministri, Hajredin Kuqi. Sipas tij AKR- ja ka sjellë një freski në skenën politike në vend dhe ka qenë partner i fuqishëm në të gjitha ngjarjet e rëndësishme për Kosovën.


“Ne çmojmë rolin e partive opozitare në vend e në veçanti të AKR – së për rolin e tyre konstruktiv dhe mund të them se PDK – ja e ka dorën e zgjatur të bashkëpunimit për të gjitha partitë në vend” tha Kuçi.

AKR – ja si parti politike ekziston që nga fillimi i vitit 2006 dhe përfaqësohet me 13 deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /rtk/