LAJMI I FUNDIT:

AAK i kërkon Kuvendit të ndërprejë pushimet, fton ministrin Murati në interpelancë

AAK i kërkon Kuvendit të ndërprejë pushimet, fton ministrin Murati në interpelancë

Grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për shkak të zhvillimeve të fundit lidhur me grevën e mësimdhënësve ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të ndërprejë pushimin dhe ta ftojë ministrin e Financave, Hekuran Murati në Interpelancë.

Përmes një njoftimi zyrtar, shefi i Grupit Parlamentar Besnik Tahiri ka njoftuar se AAK ka kërkuar nga ministri i Financave, Hekuran Murati të japë llogari në një interpelancë lidhur me krejt atë çka po ndodh për pagat dhe për grevën.

Kërkesa e GP të AAK-së:


“Në bazë të nenit 65.9 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 95 paragrafi 1 të Rregullores së Punës së Kuvendit, Grupi Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thërret në interpelancë Ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për çështjen në vijim:

Çështja

Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave.

ARSYETIM

Ekzekutimi selektiv i pagave për sektorin publik në një periudhë të rëndë krize, ka cenuar të drejtat dhe dinjitetin e të punësuarve, për të hyrë në grevë të ligjshme, siç përcaktohet me Ligjin për Grevat, neni 18, Efektet e Grevës së Ligjshme;

Me presionin mbi komunat për të siguruar listat e grevistëve është ndërhyrë në kompetencat dhe rrezikuar autonominë e komunave, të paraparë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjet që Rregullojnë Fushat, Kompetencat e Komunave dhe Parimet e Kartës Evropiane për Vetëqeverisje Lokale;

Andaj, në mbështetje të nenin 65.1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 3, pika 1, 1.5 të Rregullores së Kuvendit të Kosovës, propozojmë këtë:

Rezolutë

Ndalja e presionit dhe cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore dhe ndërhyrjeve në kompetencat dhe autonominë e komunave. Ekzekutimi i pagave, nisja e dialogut social me sindikatat në gjetjen e zgjidhjes për kërkesat e punëtorëve, përmes shtesave dhe Ligjit për Pagat”, thuhet në kërkesën e GP të AAK-së.

Përfaqësuesit e sindikatave të punëtorëve që janë në grevë nga 25 gushti, thanë se po bëjnë përpjekje që të nisin dialogun me Qeverinë e Kosovës, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje për kërkesat e tyre.

Gjatë së premtes, këshilli grevist i sindikatave është takuar me përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, duke kërkuar mbështetje në kërkesat e sindikalistëve karshi qeverisë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, pas takimit me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se dëshirojnë mbështjetje nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, qoftë edhe ata të Lëvizjes Vetëvendosje që është në pushtet.

Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.

Ata po kërkojnë 100 euro shtesë për çdo punëtorë deri në hyrjen në fuqi të Projektligjit për pagat.

Por, në fund të gushtit, ministri i Financave, Hekuran Murati, njoftoi se është bërë ekzekutim i pjesshëm i pagave, për shkak se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.

Qeveria argumenton se nuk mund të paguajë punëtorët që janë në grevë, ndërkaq sindikalistët kërkojnë që ekzekutivi të mos ua ndal pagat, pasi e konsiderojnë si joligjore.

Kreu i PDK-së, Krasniqi, tha se qeveria duhet të ekzekutojë pagat e gushtit për grevistët deri në fillim të javës së ardhshme.

Më herët gjatë ditës Jasharaj, ishte takuar edhe me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“I lus deputetët të mos pushojnë së vepruari, që të mundohen së bashku me ne që të gjejmë një derë të hapur në Qeveri, Qeveri e cila, e cila ne konsiderojmë se për momentin po dëshiron ta shtypë zërin sindikalë”, tha Jasharaj pas atij takimi.

Ndërkaq, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se dialogu mes sindikatave dhe Qeverisë është imperativ.

“Gjëja e fundit që konsiderojmë që është e domosdoshme tani është penalizmi i mësimdhënësve tanë në këtë krizë të rëndë ekonomike. Gjithashtu kemi ngritur dyshimet tona për muajin gusht, kur nuk ka pasur pasoja në sistemin arsimor, të ndërpriten pagesat në fjalë. Pra është dënim joligjor, nuk ka bazë ligjore”, tha Abdixhiku.

Ministria e Punëve të Brendshme së fundmi ka proceduar Projektligjin për paga, që duhet të kalojë në procedura paraprake dhe publike.

Ky legjislacion duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend, e më pas të publikohet në Gazetën Zyrtare ndërsa hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë. /Telegrafi/