LAJMI I FUNDIT:

A ka demokraci pa reagim qytetar?

Edhe Shqipëria, shteti i fundit në Evropë që lulëzonte ekonomikisht, u prek nga kriza. Lajmin e dha vetë shefi i qeverisë këto ditë, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, i cili pranoi se miti i të vetmit shtet me “imunitet” ekonomik ra. Për pasojë, qeveria, duke iu referuar studimeve dhe statistikave të saj, “të besueshme”, që përllogarisin moshën 78 vjeç si jetëgjatësinë mesatare të shqiptarëve, ka marrë si masë të parë rritjen e moshës së pensioneve, deri në 70 vjeç për meshkujt dhe 65 për femrat.

Ka disa ditë që është njoftuar ky vendim, dhe gjithçka ka kaluar në heshtje. Tek tuk të tërheq vëmendjen ndonjë kronikë me sfond kritik. Fatkeqësisht, edhe këtë radhë, nuk është parë e dëgjuar asnjë reagim qytetar.


Paradoksalisht, lajme të tilla në vendin fqinj grek kanë shkaktuar trazira të paimagjinueshme, reagime të menjëhershme qytetare, në të shumtën e rasteve dinjitoze, e disa herë më të dhunshme se ç’duhet. Tubimet e tyre kanë qenë të të gjitha formave, nga marshime të thjeshta, përplasje fizike me forcat e rendit, bllokime të akseve kryesore e deri te grevat e bojkotet e vendeve të punës.

Në po të njëjtën mënyrë, për të mos thënë më të “zjarrtë”, kanë qenë reagimet e manifestuesve në Spanjë, me “pushtime” disa ditore të shesheve, në Francë, ku gomat me flakë të makinave bllokonin rrugët, apo në Britani, ku janë përdorur edhe bomba artizanale ndaj policisë. Padyshim që përtej Adriatikut, ky lajm do të evokonte një zemërim të gjerë popullor, që do të shprehej me protesta masive, madje të njëpasnjëshme.

Për fat të keq, në Shqipëri ndodh e kundërta. Veç ndonjë opinioni në gazetë apo kronike televizive, askush se ka vënë “ujin në zjarr”. Dhe kjo nuk ndodh rastësisht…

Protesta është shenjë e lartë emancipimi, është përpjekje e herëpashershme për më shumë të drejta, për liri, – do të thonin shkrimtarët tanë me në krye Ismail Kadarenë, që kanë njohur censurën më të rreptë të mundshme ndaj veprave të tyre. Botimet “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë, “Shkëlqimi e rënia e shokut Zylo” i Agollit apo poezitë e Xhevahir Spahiut, janë dëshmia më e mirë e protestës së tyre ndaj një sistemi që kërkonte të kontrollonte të pamundurën, mendimin.

Në po të njëjtën linjë janë edhe protestat e studentëve të dhjetorit, sot intelektualë aktivë në politikë, që falë grevave e protestave, rrëzuan një ndër sistemet më të egra totalitare.

Ndërsa sot, qytetarët, thuajse gjithmonë, dalin në shesh atëherë kur i’a kërkon “Partia”. Dhe kjo nuk ndodh kur preken vërtet interesat e tyre, por të liderëve të këtyre forcave politike. Nuk ndodh kur rritet mosha e daljes në pension, rriten çmimet e artikujve të shportës, për “Gërdecin”, “21 Janari”, vrasjen e një gjyqtari në mes të qytetit, prishjen e “Piramidës” e monumenteve të tjera kulturore, videoskandalin “Meta-Prifti” apo edhe skandalet e publikuara së fundmi nga “Wikileaks”.

Përse vallë?! Nuk jemi të lirë?!Kemi frikë?! Frikë?! Nga se?!
Faktet historike janë një tregues që dëshmojnë se ne, shqiptarët, në çdo rregjim, nënshtrohemi shumë lehtë. Për të mos hyrë thellë në histori, gjatë pesë shekujsh nën sundimin osman, shqiptarët, kanë treguar se janë një popull që përshtaten dhe jetojnë për mrekulli nën sundim. Ne ishim të fundit që u çliruam nga Perandoria Osmane. Po kështu, edhe gjatë gjysmë shekulli nën diktatin e Partisë Komuniste, e po prapë të fundit, ndër vendet e ish-Bllokut të Lindjes, që rrëzuam atë sistem.

Politikanët tanë, por jo vetëm, duke e njohur këtë tipar të karakterit tonë, të vërtetuar në kohë, veprojnë si sundues. Ata “mbërthejnë” drejtësinë, policinë, ekonomoinë, median… dhe e dinë se kështu kanë nën kontroll, si dikur, edhe vetë qytetarin.

Mjafton të shohësh vetëm procesin e “Gërdecit”, ku u vranë 26 vetë, e ku të akuzuarit kryesorë janë zyrtarët më të lartë të shtetit, për të thënë, pa frikë, se drejtësia është e kapur. Kanë kaluar tre vjet, dhe sot, nuk ka asnjë të dënuar. Madje, ministri i “Gërdecit” sot është pjesë e kabinetit të riformatuar qeveritar. Qytetarët nuk po shohin asnjë person përgjegjës, për dhjetëra viktima e të plagosur në atë ngjarje tragjike kombëtare. I tërë ky proces, por edhe shumë të tjerë, me të cilat publiku është njohur tashmë, krijojnë bindjen se këtu s’të mbron askush, nuk ka drejtësi.

Ekziston një opinion i përgjithshëm se ky shtet, kur i cënohet pushteti i “Partisë”, s’nguron të godasë. Nuk është i largët kujtimi i protestës së “21 Janarit”, ku 4 qytetarë humbën jetën gjatë një proteste të dhunshme përballë Kryeministrisë. Fakti që ata u vranë me vetëdije dhe gjakftohtësi, është një njollë në biografinë e shtetit tonë demokratik. E sikur të mos mjaftonte kjo, orët e mbrëmjes së 21 janarit u kthyen në orë terrori e presioni të forcës së shtetit ndaj tubuesve. U shoqëruan në polici rreth 140 vetë, ndër ta edhe shumë të rinj e të mitur, që u rrahën e dhunuan psikologjikisht nga shteti. E më pas, gjithçka, madje edhe vrasjet, u mbuluan me sloganin dhe komedinë qesharake “Puç shtetëror”.

Qytetarët nuk reagojnë se i druhen një qeverie që “hakmarret”. Ndonëse një ekonomi me nivel papunësie shumë të lartë, 13.26% (i krahasueshëm me vende në krizë si Greqia me 15%, e Italia në prag krize me 8.1%, po të marrin parasysh edhe raportin me popullsinë), qytetarit as që i shkon ndërmend të protestojë. Ai e di se tubimi, nuk njihet si e drejtë legjitime në këtë demokraci, por konsiderohet një veprim kundra “Partisë”, dhe kundërpërgjigjja ndaj tij do të vijë në një mënyrë, a ndonjë tjetër. Metoda e njohur tashmë është presioni për largim nga puna i tij ose të afërmve, çka do të rëndonte edhe më shumë gjendjen ekonomike të familjes.

Mungesa e protestave lidhet shpesh herë me mosfunksionimin e sindikatave. Ky mund të jetë një argument deri diku i pranueshëm, por problemi është më i madh se kaq: Është vetë shteti që i “shtyp” tubimet.

Shembull tipik për këtë është greva e minatorëve, 1400 metra nën tokë, ku kërkohen disa të drejta legjitime. Për shkak të formës dhe kohëzgjatjes së saj, ky manifestim, ka bërë jehonë këtej e përtej kufirit. Por çuditërisht, ndryshe nga sa ndodh zakonisht, kjo grevë, nuk i ka bërë përshtypje kryeministrit. Përkundrazi!

Ndërsa minatorët dhe familjet e tyre shënonin rekordin në një greve nën tokë, që se ka njohur më parë historia, kryeministri thyente rekordin personal të notit, në brigjet e detit Jon. Ngjan si komedi. Në fakt, nuk është humori ajo që presim nga një qeveri.

Kjo grevë duhej të ishte çasti i duhur, e i vërtetë, kur një kryeministër merr përgjegjësitë e tij, përballë një grupi minatorësh të nderuar, puna e të cilëve kategorizohet te profesionet e veçanta, për shkak të shkallës së vështirësisë.

Por, për mungesë “nuhatjeje” ose për shkak të implikimit të tij në këtë çështje, kreu i ekzekutivit nuk veproi. Kërkesat e minatorëve, ende sot, mbeten të paplotësuara.

Si në çdo vend me demokraci të brishtë, media është një tjetër aktor dhe faktor që, në një mënyrë apo në një tjetër, ka ndikuar në mungesën e reagimit qytetar. Në vend që shtypi e TV-të të ishin pararojë e zhvillimit politik, ekonomik e kulturor, pra të një shteti demokratik, media, me disa përjashtime, është bërë pjesë e kësaj gjendjeje të mjerë. Shumë prej tyre kanë zënë frontet, pranojnë me krenari ndarjen media të pushtetit e të opozitës, e garojnë kush e kush të mbrojë më mirë partinë e saj. Asnjë televizion apo gazetë nuk e kritikoi, ose të paktën të pasqyronte kontrastin “Bulqizë-Dhërmi”, madje, përkundrazi, shumë gazeta, i kushtuan jo pak rëndësi rekordmenit të vetëm të Shqipërisë.

Misioni i tyre si mbikqyrës i pushteteve dhe ruajtjes së interesit publik ka humbur. Është kthyer thjesh në një institucion makiazhi, si dikur, ku thuren lajka e hosana për “Partinë”, e ku kritikohet gjithçka që nuk prek interesat e “Partisë”.

Fakte e argumente si këto mund të sjellim me dhjetëra, të gjitha në funksion të kësaj ideje: Për sa kohë që qytetari i thjeshtë nuk do të ndihet i lirë të protestojë, e për sa kohë vullneti i tij nuk do të dëgjohet, nuk mund të themi se jetojmë në një shtet demokratik.