LAJMI I FUNDIT:

A do të mund të qeveris “vetëm” Shpend Ahmeti?

A do të mund të qeveris “vetëm” Shpend Ahmeti?

Zgjedhjet e fundit lokale të mbajtura në Kosovë, me ndryshimet e papritura në raundin e balotazhit, habitën një pjesë të madhe të opinionit publik. Këto ndryshime vënë në pikëpyetje nevojën për ekzistimin e balotazhit në të ardhmen si pjesë e sistemit zgjedhor. Kjo për faktin se ndoshta balotazhi nuk përbën përfaqësimin e vullnetit të shumicës, sa përmban reaksionin e saj. Një gjë e tillë ndodhi edhe me Prishtinën, si një qytet mjaft kompleks për t’u qeverisur.

Nuk e di sa është analizuar nga Shpend Ahmeti qeverisja e Prishtinës pa shumicën e Kuvendit të Komunës. Ai nuk ka qenë asnjëherë pjesë e qeverisjes lokale, për tu përballur me problemet të cilat mund të paraqiten në realitet.


Para fitimit të zgjedhjeve, Shpendi pati thënë se nuk do të qeverisë vetvetiu, por qytetarët do të jenë pjesë e procesit vendimmarrës. Por, pas fitimit në zgjedhjet lokale, si duket e ka ndryshuar mendimin. Tash po vlerëson se më mirë është të qeverisësh vetëm, sesa me ndonjë koalicion të mundëshëm. Të gjithë anëtarët e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Komunës, janë përfaqësues legjitim të qytetarëve. Sigurisht se procesi i vendimmarrjes në nivelin lokal i ka specifikat e veta, kërkesat, rregullat, interesat dhe nuk mund të jetë i njëanshëm. Kemi të bëjmë me organin më të lartë vendimmarrës në komunë, pa të cilin nuk mund të ketë qeverisje efikase.

Mirëpo, përkundër kësaj, Shpendi mendon se mund t’ia dalë i vetëm. Ngushllimin kryesor e ka gjetur te qytetarët e Prishtinës. Idenë e tij “fisnike” për të qëndruar i vetëm në ekzekutiv, por pa shumicën e Kuvendit, Shpendi e ka analizuar me shumë zgjuarsi. Si duket, nuk është duke u mërzitur shumë për mundësinë e realizimit të programit të tij qeverisës, sa për dëshirën për të qenë i “pastërt” në përbërjen e ekzekutivit. Kjo lë për të dyshuar se besimin e dhënë nga qytetarët, më tepër do ta shfyrtëzojë në të mirë të interesit personal, me tendencën për të adresuar fajin tek të tjerët në rastin e një dështimi të mundëshëm.

Ideja e tij për të vetëqeverisur me ekzekutivin e Komunës së Prishtinën është e mundëshme, mirëpo e paqëndrueshme për disa arsye:

E drejta për të formuar ekzekutivin – Ajo çka e bënë të mundëshme qeverisjen e Shpend Ahmetit me ekzekutivin e komunës, është e drejta e kryetarit të komunës për të përzgjedhur ekipin e ekzekutivit. Ligjërisht, e drejtë ekskluzive e kryetarit të komunës është të emërojë dhe shkarkojë drejtorët e drejtorateve. Ai për këtë nuk ka ndonjë vështirësi, për shkak se Kuvendi i Komunës nuk mund të shtrijë ndikimin në përzgjedhjen e drejtorëve, por as shkarkimin e tyre.

Pozicioni i fortë i kryetarit të Komunës – Me legjislacionin për vetëqeverisje lokale në Kosovë, nuk ekziston ndonjë balanc në mes të pushteteve në nivel lokal. Kësisoj, nuk është paraparë asnjë normë juridike e cila në mënyrë shprehimore i njeh rolin mbikëqyrës Kuvendit të Komunës, gjë që sjell epërsinë e kryetarit të komunës në këtë drejtim. Edhe pse Kuvendi i Komunës ka atributin e organit më të lartë në komunë, mundësitë për ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes janë shumë të kufizuara, pasi nuk është përcaktuar asnjë mekanizëm ligjor për të shtrirë kompetencat kontrolluese ndaj ekzekutivit. Kryetari i komunës, sipas ligjit, është përgjegjës të raportoj në Kuvend për çështjet ekonomike-financiare dhe ushtrimin e kompetencave, por nuk është përcaktuar për pasojat e vlerësimit negativ dhe mosaprovimit të këtyre raporteve nga Kuvendi i Komunës. Aktualisht, miratimi i raporteve është çështje e brendëshme dhe varion nëpër komuna. Përveç kësaj, Kuvendit të komunës, nuk i njihet shprehimisht e drejta për të ndërmarrë nisma dhe iniciativa për shkarkimin e kryetarit të komunës. Kjo e drejtë është paraparë vetëm për organin mbikëqyrës në nivel qendror.

Një faktor tjetër i cili mund të ndikoj në pozicionimin e tillë të Shpend Ahmetit është edhe procedura për miratimin e propozim-buxhetit. Në fakt, projekt-buxheti komunal propozohet nga kryetari i komunës dhe jo gjithherë mund të përfshijë kërkesat e anëtarëve të kuvendit të komunës. Në rastin konkret, janë dy mundësi të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të vepruar:

E para, të miratojë projekt-buxhetin e propozuar nga kryetari i komunës, përkundër asaj se mund të mos jetë i pranueshëm për anëtarët e Kuvendit.

E dyta, të mos e miratojë fare. Në rast të mosaprovimit, Kuvendi i Komunës rrezikon të shpërndahet. E gjithë kjo pasi që sipas nenit 50 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, “Kuvendi i Komunës konsiderohet jo-funksionksional nëse nuk miraton buxhetin sipas afatit të paraparë me ligjin përkatës”. Thirrja juridike e paraparë nënkupton shpërndarjen e Kuvendit jofunksionues në Komunë. Një lëshim i tillë paraqet pikën më të dobët të Kuvendit të Komunës për të imponuar politika gjithëpërfshirëse dhe në interes të përgjithshëm.

Një formë e tillë e përceptimit të qeverisjes nga Shpend Ahmeti, do të rrezikojë realizimin e programit politik për Prishtinën. Nëse dështon të kalojë në Kuvend propozim-buxhetin deri në afatin e fundit të përcaktuar me ligj (deri më 1 mars), atëherë asnjë shpenzim nuk mund të bëhet nga ose në emër të komunës. Zgjidhja e ligjore është përmes ministrit të Financave i cili autorizohet të bëjë propozim-buxhetin e komunës, që bazohet mirëpo nuk tejkalon buxhetin dhe ndarjet buxhetore të komunës për vitin ekzistues fiskal.

Kjo do të thotë se ai nuk mund të realizoj projektet të cilat i ka paraparë në programin e tij politik dhe normalisht që aludon me mospërmbushje të premtimeve elektorale. Nuk mund të injorohet nevoja për një shumicë në Kuvendin e Komunës, pasi mund të mos i ecën asnjë propozim-vendim apo propozim-rregullore.

Se a do të vendos të mbajë qëndrimet e tij “parimore” në këtë drejtim, mbetet të shihet në të ardhmen. Se si do të realizoj Programin e premtuar, gjithashtu do të shihet në të ardhmen. Kësisoj do të shihet edhe notimi nga votuesit pas katër vjetëve. Të gjitha këto, Shpend Ahmetit mund t’i sigurojnë një pozitë karrieriste si kryetar komune, por jo edhe realizimin e programit të premtuar.