LAJMI I FUNDIT:

Prifti i vllehve: Korça nuk është Greqi

Prifti i vllehve: Korça nuk është Greqi

Prifti i vllehve në Korçë ka reaguar ndaj deklaratës së konsullit grek, Theodhoro Ikonomus i cili u bëri thirrje minoritarëve të mos kenë frikë të regjistrohen me kombësi greke.

“Konsulli më kërkoi të deklarohesha vllah grek që të më jepte vizë, jam ndjerë i persekutuar, pasi i thashë se jam vlleh shqiptar, me refuzoi vizën”, ka thënë Atë Dhimitër Veriga për News 24.

Ai i ka quajtur të papërgjegjshme deklaratat e konsullit grek në Korçë, Theodhoros Ikonomus, duke nënvizuar se vllehtë nuk janë grekë.

“Vllehtë nuk janë grekë dhe Korça nuk është Greqi. Vlleh ka dhe në Greqi, le ta deklarojnë dhe ata siç deklaroj unë që jam vllah shqiptar. Unë kurrë nuk mund t’u them atyre të Greqisë të bëhen shqiptarë. Ata pse na e bëjnë ketë?”, ka thënë Atë Veriga.


Konsulli grek Theodhoro Ikonomus, në 20 vjetorin e themelimit të Omonias në Korçë u kërkoi minoritarëve të mos i tremben procesit të regjistrimit të popullsisë.

“Do të jap edhe njëherë të njëjtin mesazh: Po, ekzistojnë grekë në Korçë. Po, vllehtë janë grekë. Grekë, mos u trembni nga regjistrimi i popullsisë, të shpallni origjinën reale dhe të gjithë atyre që janë në dyshim dhe me frikë dhe pyesin veten jam me siguri grek, ju them një gjë, shkoni në varreza dhe shikoni varrezat e etërve dhe gjyshërve tuaj dhe gjuhën në të cilën janë të shkruar dhe merrni vendimin tuaj. Janë në gjuhën greke. Kjo betejë nuk mbaron me regjistrimin e popullatës, por nis me regjistrimin e popullatës greke”, ka thënë Ikonomus. /Telegrafi/