LAJMI I FUNDIT:

Malaj dhe Harasani thyejnë bojkotin e Partisë Socialiste

Malaj dhe Harasani thyejnë bojkotin e Partisë Socialiste

Komisionet e Kuvendit kanë nisur shqyrtimin e aktit normativ për projektet që do të nisin për parandalimin e përmbytjeve në zonën e Shkodrës e Nënshkodrës.

Brenda muajit maj pritet të nisin punimet për thellimin e Bunës, por edhe për mbrojtjen nga përmbytja në Shkodër, apo dhe në Lezhë. Akti normativ i qeverisë parashikon nisjen e punimeve përmes procedurave të përshpejtuara të prokurimit, pa shpallje njoftimi.

Në Komisionin e Ekonomisë, përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë deklaruan se punimet do të mbështeten financiarisht me 1 miliard lekë nga buxhetit i shtetit.

Risi ishte prania në këtë Komision e dy deputetëve socialistë, Arben Malaj dhe Andis Harasani, në kundërshtim me vendimin e Grupit Parlamentar për të mos marrë pjesë në punimet e Kuvendit.


“Duhet të jemi të pranishëm në shqyrtimin e këtyre projekt-ligjeve të rëndësishme, pasi ato kalojnë pa pasur oponencën tonë”, theksoi deputeti Andis Harasani, duke e konsideruar kështu jo pozitive mungesën e opozitës në Parlament.

Deputetet e majtë u deklaruan kundër aktit normativ, pasi sipas tyre ai nuk parashikon ndërhyrje tërësore, por të pjesshme në zonën e rrezikuar. Miratimi i aktit normativ i hap rrugë nisjes së hartimit dhe përfundimit në një periudhë 2 mujore të projekt-zbatimeve. /Telegrafi/