LAJMI I FUNDIT:

Masa greke për lejet e emigrantëve

Masa greke për lejet e emigrantëve

Mijëra emigrantë shqiptarë, që muajt e fundit ndodheshin në një situatë pasigurie për shkak të vendimeve refuzuese për rinovimin e lejes së qëndrimit, tashmë mund të shpresojnë se problemi i tyre do të zgjidhet.

Qeveria greke po përgatit paketën e masave në ndihmë të kësaj kategorie emigrantësh, që do të shpallen brenda dhjetë ditëve të ardhshme. Kështu është vendosur në një mbledhje të drejtuar nga kryeministri grek, Jorgos Papandreu, të hënën pasdite.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve ANA, kryeministri ka porositur ministrin e brendshëm dhe atë të punës, që brenda dhjetë ditëve t’i paraqesin një paketë masash, që do të hyjë menjëherë në fuqi.

Burime qeveritare kanë theksuar se masat do të zbatohen vetëm për emigrantët që ndodhen prej vitesh në Greqi dhe kanë pasur status të ligjshëm, e jo për emigrantët e paligjshëm që kanë hyrë në vend pas zbatimit të valës së fundit të legalizimit, në vitin 2005.


Mësohet se mbledhja kishte më tepër karakter këshillimor, mbi propozimet e paraqitura, ku dominon ai për reduktimin e numrit të ditëve të sigurimeve shoqërore.

Deri më tani, që një emigrant të rinovojë lejen dyvjeçare të qëndrimit, i nevojiten rreth 200 ditë sigurimi.

Por në kushtet e krizës së thellë që ka përfshirë prej dy vjetësh Greqinë, ata kanë humbur vendet e punës apo u është reduktuar ndjeshëm orari, me rezultat të mos plotësojnë as numrin e detyrueshëm të siguracioneve, por as të ardhurat e domosdoshme për bashkimin familjar.

Kjo ka sjellë si pasojë që ata të mos rinovojnë dot lejen e qëndrimit, ndërsa në zbatim të legjislacionit u është dërguar një letër që i njofton se duhet të largohen brenda një muaji nga Greqia.

Në fakt, shumë prej emigrantëve të kësaj kategorie nuk janë larguar dhe vazhdojnë të qëndrojnë në Greqi, me një status të paligjshëm që përbën rrezik për të ardhmen e tyre.

Bëhet fjalë për njerëz familjarë që në një farë mënyre e kanë ndërtuar tashmë jetën e tyre, kanë shkolluar fëmijët dhe, më kryesorja, nuk kanë asnjë perspektivë kthimi në atdhe.

Shumica e tyre janë të moshës 50-60 vjeç që, ose nuk përfitojnë asnjë lloj pensioni, ose kanë një pension të pamjaftueshëm, edhe për të siguruar minimumin e jetesës në vendlindje./BBC/Telegrafi/