LAJMI I FUNDIT:

Memorandumi i Mustafajt merr vetëm dy vota

Memorandumi i Mustafajt merr vetëm dy vota

Anëtari i Këshillit Kombëtar dhe një ndër drejtuesit historikë më të lartë të PD-së, Besnik Mustafaj ka kërkuar përmes një memorandumi të paraqitur në Këshillin Kombëtar realizimin e një reforme të plotë riorganizuese të partisë dhe strukturave të saj, nga demokratizimi, lejimi i mendimit ndryshe deri te kthimi i partisë në frymën e partive popullore evropiane.

Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht kryetari i PD-së, i ka kërkuar Mustafajt të lexojë përpara Këshillit dokumentin e paraqitur, raportoi të hënën e përditshmja Mapo. Mustafaj tregon hapur se ka një qëndrim të distancuar nga vetë lidershipi i PD-së, që e ka cilësuar ditën e 21 janarit një grusht shteti. Mustafaj ka thënë se ajo ditë u shoqërua me ngjarje të dhunshme përpara Kryeministrisë.

Në memorandum theksohet se Këshilli Kombëtar prej kohësh ka humbur funksionin e tij për shkak të mosmbledhjes, gjë që ka sjellë pasoja të dukshme negative në përmbushjen e misionit politik të PD. Sipas Mustafajt, mosmbledhja e Këshillit prej 14 muajsh ka bërë që partia të ketë me mandat të ligjshëm vetëm kryetarin e saj, Berisha dhe nënkryetarin, si kryetar i grupit parlamentar, Astrit Patozin.

Në këtë kontekst, për t’i kthyer legjitimitetin, Mustafaj shtroi në memorandum nevojën e votimit të strukturave drejtuese në këshill larg klientelizmave partiake. Në memorandum kritikohet fakti se shumë politika të ndjekura nga Partia Demokratike e kanë larguar gradualisht këtë të fundit nga identiteti i saj si parti e qendrës së djathtë. Kjo justifikohet me faktin se janë iniciuar dhe po vazhdojnë te iniciohen politika liberale dhe konservatore dhe në të njëjtën kohë, edhe qëndrime ndaj pronës apo politika sociale me përmbajtje të pastër të majtë.


“Këto luhatje dhe qëndrime nga një ekstrem në tjetrin, dukshëm populiste për interesa momentale kanë dobësuar lidhjet me shtresat tradicionalisht përkrahëse të PD-së, si ish-të përndjekurit, ish-pronaret dhe biznesin e madh”, thotë Mustafaj duke shtuar se PD ka një largim gradual, por të vazhdueshëm nga identiteti i saj si parti e qendrës së djathtë.

Kjo situatë sipas memorandumit duhet diskutuar në formë debatesh, duke respektuar mendimin ndryshe që do të shërbente për të tërhequr e gjallëruar edhe kapacitetet e grupeve shoqërore dhe të grupeve të interesit jashtë strukturave të partisë që presin nga PD të mishëroje idealet për shtetin, drejtësinë dhe lirinë e tregut e pronës.

Në bazë të të gjithë elementeve të analizuar në këtë dokument të detajuar, Besnik Mustafaj kërkoi nga Këshilli Kombëtar të përcaktojë si objektiv madhor ndërmarrjen e reformave brenda partisë për modernizimin dhe demokratizimin e saj për të çuar në këtë mënyrë në lartësinë e Partive Popullore Evropiane, prej frymës së të cilave PD është ende larg.

Pas paraqitjes së memorandumit, pavarësisht kritikave të forta, të cilat nuk është se janë shprehur shpesh në forma të tilla, kryeministri Berisha i është ruajtur debatit të ashpër me ish-bashkëpunëtorin e tij të ngushtë të së kaluarës, duke pranuar me tone të qeta ndonjë gabim në ndonjë rast, siç është mosmbledhja e këshillit dhe moszgjedhja e strukturave.

Dokumenti i Mustafaj në Këshillin Kombëtar që ka mbi 100 anëtarë u hodh në votim, duke marrë vetëm dy vota pro atë të vetë Mustafajt dhe të Gazmend Oketës. /Telegrafi/