LAJMI I FUNDIT:

Si u prish pakti për Gardistët midis Ina Ramës dhe Berishës

Si u prish pakti për Gardistët midis Ina Ramës dhe Berishës

Çështja e gjashtë gardistëve për të cilën ka lëshuar urdhër-arrest Prokuroria, duket se ka futur në lojë edhe diplomatët në Tiranë. Tre ditët e fundit janë zhvilluar negociata midis kryeministrit, Sali Berisha dhe kryeprokurores Ina Rama për të zhbllokuar ngërçin e krijuar së fundi.

Gazeta Mapo shkruan të shtunën se është arritur një marrëveshje, sipas të cilës gjashtë drejtuesit e Gardës së Republikës do të dorëzoheshin në polici ku do të pyeteshin nga prokurorët e çështjes dhe më pas do të liheshin të lirë.

Prokurorët janë njoftuar për këtë të mërkurën në mbrëmje. Sipas Prokurorisë, dëshmitë e tyre do të përcaktonin se cilët ishin përgjegjësit dhe cilët jo dhe më pas do të ekzekutoheshin urdhër-arrestet.

Në këtë kontekst, pesë prokurorët kanë shkuar mbrëmjen e së mërkurës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës rreth orës 22:00 në pritje për t’u finalizuar marrëveshja.


“Miqtë ndërkombëtarë e kuptuan se çfarë fshihej pas urdhër-arresteve për zinxhirin e Gardës Kombëtare. Pas një angazhimi shumë të fortë, arritëm një marrëveshje, që secili nga oficerët e Gardës të paraqitej para prokurorit ku do të bëhej deklarata dhe të anulohej urdhër-arresti. Por kjo marrëveshje u prish nga urdhri që mori zonja Rama, duke faktuar se ajo nuk respekton asnjë normë dhe standardë”, ka deklaruar kryeministri Sali Berisha.

Mbrëmjen e së mërkurës, prokurorët kanë pritur deri në orët e para të mëngjesit në Drejtorinë e Policisë ku pas pesë orësh janë lajmëruar se gardistët nuk do të dorëzoheshin.

Mësohet se në të njëjtën kohë kur prokurorët ishin në Polici, atje ishin edhe drejtuesit e Gardës, por në ambiente të tjera, pasi kishin marrë garancinë se nuk do të ndaloheshin. /Telegrafi/