LAJMI I FUNDIT:

Gardistët dëshmojnë në polici

Gardistët dëshmojnë në polici

Anëtarë të Gardës Republikane janë paraqitur në Drejtorinë e Policisë në Tiranë për rreth dy orë.

Ndrea Prendi, komandant i Gardës, Alfred Ahmetcenaj, zëvendëskomandant, Dashamir
Shehi, komandant njësie, Vladimir Dedaj, drejtues njësie, Altin Kollçinaku e Fatos Bushati efektivë, kanë pohuar në polici se pasi janë vënë në dijeni të urdhrave të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria, janë paraqitur sapo kanë gjetur mundësinë, raportoi të premten e përditshmja Panorama.

Sipas burimeve të policisë, një grup prej pesë prokurorësh kanë mbërritur në Drejtorinë e Policisë në Tiranë dhe kanë marrë kontakt direkt me gardistët. Zyrtarët e Gardës kanë kërkuar të njihen me provat që zotëron Prokuroria në adresë të tyre. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Prokurorisë kanë kërkuar që sqarimet e zyrtarëve të Gardës Republikane të hidheshin në proces-verbale për t’u firmosur më pas prej tyre.

Zyrtarët e Gardës kanë refuzuar të firmosin dhe të vazhdojnë më tej procedurën, duke sqaruar se duhet të paraqiteshin në detyrë duke u larguar nga Drejtoria e Policisë.


Ndërkohë, burime zyrtare të Prokurorisë i kanë mohuar këto informacione. Zyrtarisht Prokuroria është në pritje të ekzekutimit të urdhrave të ndalimit të nxjerrë prej saj.

Ndërkohë, hetuesit pritet që të marrin në pyetje edhe Arjan Adhamin, truprojën personale të kryeministrit Sali Berisha, i cili është fiksuar nga kamerat me një automatik në krahë, pak momente para vrasjes së tre civilëve gjatë demonstratës së 21 janarit.

“Nuk mund të flasim më tej për këtë çështje pasi është në hetim”, i kanë thënë pjesëtarët e Grupit hetimor të përditshmes Gazeta Shqiptare.

Hetuesit e konsiderojnë dëshminë e Arjan Adhamit kyçe për të hedhur dritë mbi ngjarjen e rëndë, ndërkohë që nuk përjashtohet edhe urdhri i ndalimit për truprojën personale të kryeministrit. /Telegrafi/