LAJMI I FUNDIT:

Shqetësim për mbarëvajtjen e protestës së opozitës

Shqetësim për mbarëvajtjen e protestës së opozitës

Ambasada amerikane në Tiranë paralajmëroi të enjten qytetarët e saj lidhur me demonstratën e të premtes të paralajmëruar nga opozita shqiptare. Ambasadori amerikan, Alexander Arvizu, pati të enjten një takim kokë më kokë me kryeministrin Sali Berisha. Takimi bëhet një ditë para demonstrimit homazh të opozitës, të cilën lideri opozitar, Edi Rama, me gjithë kërkesën e ndërkombëtarëve, nuk pranoi ta anulonte.

Ambasada njoftoi se kishte mësuar se Partia Socialiste ka aplikuar për leje nga policia e shtetit për të mbajtur një demonstratë të madhe publike në Tiranë. Si rrjedhim Ambasada do të jetë e mbyllur të premten dhe këshillon personelin e saj që të kufizojë të gjitha udhëtimet e panevojshme gjatë protestave.

“Ne iu kujtojmë qytetarëve amerikanë se çdo demonstratë e synuar të jetë paqësore, mund të kthehet në të dhunshme dhe të paparashikueshme. Duhet t’i mënjanoni nëse është e mundur. Demonstratat në një qytet kanë potencialin për të çuar në grumbullime të tjera publike apo demonstrata në zona të tjera të vendit”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Ndërkohë, komisioni parlamentar i ngritur nga shumica pa votat dhe pjesëmarrjen e opozitës, pritet të kërkojë informacion dhe të dhënat paraprake të dërguara tek Presidenti i Republikës për organizimin e demonstratës së 21 janarit, informacionet që presidenca ka pasur gjatë demonstratës së 21 janarit, si dhe komunikimet me prokurorinë, gardën, SHISH dhe Ministrinë e Brendshme.


Komisioni do të kërkojë të njëjtin grup informacionesh edhe nga kryeministri Sali Berisha si dhe informacione nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë. Do të kërkohet gjithashtu informacion për rolin e policisë bashkiake gjatë 21 janarit si dhe rolin e disa policive të tjera bashkiake.

Ndërkohë Policia e Tiranës reagoi të enjten për demonstratën homazh që pritet të zhvillojë të premten Partia Socialiste, duke thënë se tubimi i opozitës është rrezik për sigurinë kombëtare. Policia njoftoi se nuk mund të garantojë mbarëvajtjen e tubimit, duke marrë parasysh edhe ngjarjet në demonstratën e 21 janarit, në të cilën u vranë katër demonstrues dhe mbetën të plagosur e të lënduar dhjetëra demonstrues të tjerë dhe policë. /Telegrafi/