LAJMI I FUNDIT:

Të premten manifestim në nderim të viktimave

Të premten manifestim në nderim të viktimave

Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, njoftoi organizimin e një tubimi paqësor më 28 janar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në nderim të tre personave të vrarë në manifestimin e së premtes në Tiranë.

“Më lejoni që fjalët e duhura për këto tre viktima të krimit qeveritar, t’i shpreh ditën e premte në orën 14:00 në bulevardin ‘Dëshmoret e Kombit’, ku me gjithë shqiptarët e shqiptaret që dënojnë dhunën dhe krimin qeveritar e që dëshirojnë të nderojnë kujtimin e këtyre tre shqiptarëve të zakonshëm, jeta e të cilave u pre në rrugën e protestës për një Shqipëri më të mirë, me më shumë perspektive për fëmijët e tyre që sot janë jetimë, të gjendemi të gjithë së bashku”, deklaroi Rama gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e organizuar në qytetin e Fierit, në nderim të të ndjerit Faik Myrtaj.

Pasi u mbajt një minutë heshtje në nderim të Myrtajt, Rama u shpreh se ëndrrat dhe shpresat që këta të ndjerë i nisën drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, “Do të jenë pikat e referimit në betejën tonë të sotme, po ashtu edhe në betejën tonë të nesërmes, ku së bashku do t’i japim shqiptarëve atdheun që Zoti ka caktuar, duke i falur bujarisht të gjitha të mirat për të qenë të mirëqenë në shtëpitë e tyre”.

Kjo ishte ceremonia e tretë mortore për viktimat e demonstratës së dhunshme që u organizua ditën e premte në kryeqytetin shqiptar.


Të shtunën në Dibër u përcoll për në banesën e fundit shtetasi Hekuran Deda, ndërsa të dielën paradite në Gjirokastër u organizua ceremonia për të ndjerin Ziver Veizi. /Telegrafi/