LAJMI I FUNDIT:

Opozita paralajmëron protesta të reja

Opozita paralajmëron protesta të reja

Pas ditës së zisë së shpallur për tre viktimat e të premtes, opozita do të dalë edhe më e vendosur në rrugë, tha lideri i socialistëve dhe kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama. Ai akuzoi edhe njëherë qeverinë konservatore të kryeministrit Berisha për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve të vitit 2009.

Ndërkohë Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhra arresti për gjashtë anëtarë të Gardës së Republikës, të cilët kanë qenë me shërbim në ambientet e selisë së kryeministrisë gjatë demonstratës së të premtes në Tiranë.

Fletëarrestet janë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen mbi aktet e dhunës në demonstratë dhe kryesisht për rrethanat e humbjes së jetës së tre qytetarëve. Në lidhje me demonstratën e 21 janarit, Policia e Tiranës deklaroi të premten se është arrestuar një person i quajtur Gjin Pjetër Ndreu, i cili ka qenë i armatosur gjatë protestës.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Saimir Muça bëri të ditur se strukturat e hetimit të krimit nga strukturat e policisë së shtetit bënë të mundur ndalimin dhe arrestimin e shtetasit Gjin Pjetër Nderu nga Shkodra.


Nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha ka lajmëruar për organizmin e një mitingu paqësor të mërkurën. Ai ka ftuar qytetarë nga gjithë vendi, pavarësisht bindjeve politike, siç tha ai, për të marrë pjesë në këtë miting paqësor dhe kundër dhunës.

Ndërsa BE-ja, SSHBA-të dhe OSBE i bën thirrje palëve për kompromis dhe qetësi. /Telegrafi/