LAJMI I FUNDIT:

Shprehja e maturisë është e një rëndësie jetike

Shprehja e maturisë është e një rëndësie jetike

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe tre ambasadorë të huaj u takuan të shtunën për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend pas demonstratës së dhunshme të së premtes. Presidenti pati takime të veçanta me kreun e delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham dhe ambasadorin amerikan Alexander Arvizu.

Topi ka thënë se po ndjek në vazhdimësi situatën e krijuar në vend pas ngjarjeve tragjike në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe ka ritheksuar mesazhin drejtuar partive politike dhe çdo qytetari se ruajtja e institucioneve dhe e rendit kushtetues është jetike për fatet e demokracisë dhe jetën e çdo individi të shoqërisë sonë.

Presidenti është shprehur se situata e krijuar dëmton gjithashtu rëndë perspektivën evropiane dhe imazhin e Shqipërisë, ndërsa ambasadorët kanë kërkuar hetim të plotë dhe transparent të ngjarjeve të dhunshme.

“Është i domosdoshëm bashkëpunimi mes institucioneve të zbatimit të ligjit për zhvillimin e një hetimi sa më transparent, profesional e të paanshëm. Rikthimi i dialogut, respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë”, bëri të ditur zyra e presidentit Topi. /Telegrafi/