LAJMI I FUNDIT:

Wollfarth: Udhëheqësit të dëshmojnë lidership

Wollfarth: Udhëheqësit të dëshmojnë lidership

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth, u ka bërë thirrje liderëve të vendit që të veprojnë në mënyrë konstruktive e të tregojnë lidership pas demonstratës së dhunshme të të premtes.

“Ndonëse e drejta për protestë paqësore është thelbësore për një qeverisje demokratike, ruajtja e rendit publik dhe sundimit të shtetit ligjor janë po aq të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve. Hetimi zyrtar i ngjarjeve të dhunshme duhet të lejohet të vazhdojë pa asnjë lloj ndërhyrjeje”, ka thënë Wollfarth.

Ambasadori i OSBE-së ka theksuar se ashpërsimi i mëtejshëm i ligjëratave politike publike- qoftë përmes medias, qoftë përmes ngjarjeve të organizuara masive publike të planifikuara gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim- vetëm sa mund ta rëndojë një situatë tashmë të tensionuar.

"Gjithë drejtuesit e vendit, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe të dëshmojnë lidership në rikthimin e besimit publik dhe politik, në mënyrë që vendi të përqendrohet në qëllimet e tij kombëtare strategjike", ka thënë ai. /Telegrafi/