LAJMI I FUNDIT:

Arvizu: Është koha për t’i dhënë fund dhunës

Arvizu: Është koha për t’i dhënë fund dhunës

Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu, tha të shtunën se shqiptarët duhet të bëjnë çmos për të shmangur dhunën e mëtejshme pas demonstratës së dhunshme të së premtes që la tre të vdekur dhe dhjeta të plagosur.

Ambasadori theksoi se protesta nuk ishte paqësore dhe se thirrjet që ajo të ishte paqësore nuk u dëgjuan. Ambasadori amerikan, i cili konfirmoi se ka biseduar me zyrtarët më të lartë të mazhorancës dhe opozitës, kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e opozitës Edi Rama, ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, theksoi se dhuna mund të ishte shmangur.

Ambasadori theksoi se dhuna në rrugë nuk do të zgjidhë problemet e korrupsionit në Shqipëri dhe nënvizoi se liderët politikë shqiptarë duhet të kërkojnë rrugë për kompromis. Ai paralajmëroi se kompromisi nuk mund të arrihet nëse palët këmbëngulin për pozicione maksimaliste.

“Zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike përmes betejave në rrugë nuk është kompromis”.


Arvizu ka thënë se është koha për t’i dhënë fund dhunës, për t’i dhënë fund sharjeve dhe fyerjeve të ndërsjella dhe është koha që liderët politikë të punojnë për t’i shërbyer vendit dhe qytetarëve.

“Kompromis dhe negociatë do të thotë që duhet të japësh diçka”, theksoi ambasadori Arvizu, duke theksuar se fajësimi i palës tjetër nuk është kompromis. /Telegrafi/