LAJMI I FUNDIT:

Gjoba të reja në trafik

Gjoba të reja në trafik

Me urdhër të përbashkët të ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha gjobat në trafik do të rriten mesatarisht me rreth 2.79 për qind.

Masa e rritjes lidhet me normën mesatare të inflacionit përgjatë dy viteve të kaluara, atij 2008 dhe vitit 2009. Urdhri ka hyrë në fuqi që prej datës 1 janar dhe tashmë ka filluar zbatimin në terren, raportoi “Shekulli”.

Referuar ndryshimeve, nëse deri më tani gjoba për mosvendosje të rripit të sigurimit, një masë ndëshkuese që aplikohet shpesh nga efektivët e policisë, varionte nga 250 deri në 1000 lekë, tashmë fillon nga 260 lekë, ndërsa vlera maksimale është 1030 lekë.

Për sa i përket parkimit të gabuar, e cila gjithashtu është një ndër masat që ndërmerret jo në pak raste, deri më tani gjoba ka variuar nga 1000 lekë deri në 4000 lekë, ndërsa nga data 1 janar ajo fillon me 1030 lekë deri në 4100 lekë.


Edhe në rastet kur kemi të bëjmë me tejkalim të normave të lejuara të shpejtësisë, niveli i gjobave ka pësuar një rritje mesatarisht 2.79 për qind, e cila pasqyrohet në shuma të ndryshme në varësi të vlerës të gjobës.

Sipas Kodit Rrugor, tejkalimi i kufirit të shpejtësisë me jo më shumë se 10 kilometra për orë ndëshkohej me 500 deri në 2000 lekë, por tashmë gjoba për këtë shkelje fillon nga 510 deri në 2 060 lekë. Në rastet kur kemi një tejkalim të kufirit të lejuar të shpejtësisë me 20 kilometra për orë gjoba fillon nga 2 570 lekë deri në 1 0280 lekë. /Telegrafi/