LAJMI I FUNDIT:

Shkodër, zvogëlohet sipërfaqja e mbuluar nga uji

Shkodër, zvogëlohet sipërfaqja e mbuluar nga uji

Ditët e para të vitit të ri 2011, të cilat kanë vijuar të jenë pa reshje shiu, kanë ndikuar për një përmirësim edhe më të madh të situatës së përmbytjeve në territorin e Qarkut të Shkodrës- raporton BalkanWeb.

Sipas prefektit të Shkodrës, Maxhid Cungu, i cili është edhe kryetar i shtabit të emergjencave civile të Qarkut, sipërfaqja e tokës së mbuluar nga uji ka rënë në 2.150 ha.

Për t’u theksuar është se rënia më e madhe është regjistruar në një nga komunat më problematike, atë të Dajçit të Bregut të Bunës, ku sipërfaqja e tokës së përmbytur ka rënë në 700 ha. Edhe në komunën tjetër problematike, atë të Velipojës, ka përmirësim të situatës, por këtu tkurrja e sipërfaqes së tokës së përmbytur është më e vogël në raport me Dajçin. Aktualisht, në komunën e Velipojës, toka e përmbytur është në shifrat e 1.000 ha, çka përbën edhe sipërfaqen më të madhe nga të gjitha komunat e zonës së Nënshkodrës.

Ndërsa, në komunat e tjera të zonës së Nënshkodrës, përfshirë edhe komunën Rrethina, si dhe territorin e bashkisë së Shkodrës, përmirësimi është edhe më i dukshëm, duke shkuar drejt një normaliteti të plotë.


Ndërkohë, nga matjet e bëra në liqenin e Shkodrës dhe lumin Drin, mësohet se niveli i ujit ka pësuar rënie të konsiderueshme. Liqeni i Shkodrës, nga matjet e bëra pranë Urës së Bunës, është në kuotën 8.02 cm, ndërsa niveli i lumit Drin, i matur pranë Urës së Bahçallëkut, është në shifrat 7.52 cm. /Telegrafi/