LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria t’i zgjidhë problemet e saj

Shqipëria t’i zgjidhë problemet e saj

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit, Thomas Countryman, tha në një intervistë për BBC-në se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe nëse ajo thotë se është e gatshme të jetë anëtare e BE-së, atëherë nuk mund të pritet ndërhyrje nga jashtë për të zgjidhur problemet të cilat, sipas tij, udhëheqësit politikë nuk kanë pasur vullnet t’i zgjidhin.

Zyrtari i lartë amerikan tha se nga ngërçi aktual politik ndërmjet dy partive kryesore në Shqipëri nuk përfitojnë qytetarët e këtij vendi.

“Si vend anëtar i NATO-s me aspirata të bëhet anëtare e BE-së, Shqipëria duhet të zhvillojë aftësitë për kompromise ndërmjet partive kryesore dhe aftësitë për të zhvilluar zgjedhje të drejta dhe transparente, flas për zgjedhjet lokale që do të mbahen në pranverë”, tha Countryman.

Zyrtari amerikan theksoi se bashkësia ndërkombëtare nuk po tërhiqet, por Shqipëria nuk është një protektorat. “Ata duhet të tregojnë se të gjitha palët janë të afta për të marrë pjesë me përgjegjësi në jetën politike në vend. Fatkeqësisht, ne nuk e kemi parë këtë në muajt e fundit”, tha ai. /Telegrafi/