LAJMI I FUNDIT:

Berisha sulmon ashpër Ramën

Berisha sulmon ashpër Ramën

Pas vendimit për heqjen e vizave, kryeministri Sali Berisha po tregohet i pakursyer jo vetëm të ndajë gëzimin me qytetarët, por edhe t'u tregojë atyre se merita për këtë arritje, siç pohon ai, është vetëm e qeverisë dhe aspak e opozitës.

Ky ishte argumenti kryesor i takimit të kryeministrit Berisha me banorët e komunës Kallmet, në Lezhë, ku shefi i qeverisë akuzoi drejtpërsëdrejti kreun e opozitës se me protestat dhe grevën e urisë para vendimit të Komisionit Evropian në maj, u përpoq të bllokonte lëvizjen e lirë për shqiptarët.

“Këta shokë donin me çdo kusht që për të ndëshkuar Sali Berishën, të ndëshkonin secilin prej jush, të bllokonin vizat për ju. Prandaj e ftoj sot nga kjo platformë, kërkoi të falur çdo shqiptari, kërkoju të falur qindra dhe mijëra të rinjve shqiptarë, të cilëve deshe t’u ndalosh Evropën. Kërkoju të falur qindra dhe mijëra nënave shqiptare, kërkoju të falur që të mund t’u dëshmosh shqiptarëve që ke sensin e pendesës”, ka deklaruar Berisha, njofton TCH.

Sipas kryeministrit, vizat u hoqën sepse agjenda e qeverisë së tij u përqendrua tek interesi i qytetarëve për të përmirësuar jetesën e tyre dhe për të arritur standardet më të mira evropiane.


“Agjenda e kësaj qeverie jeni ju, të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptare. Të mos mendojë kush se mund të më zhvendosë mua në një agjendë tjetër, përveç asaj që është interesi jetik për ju. Interesi jetik për ju ishin vizat. Ne i hoqëm ato. Agjenda ime e madhe janë rrogat tuaja, pensionet tuaja. Agjenda ime janë rrugët, shkollat, kanalizimet, ujësjellësit”, ka pohuar Berisha. /Telegrafi/