LAJMI I FUNDIT:

Fox Marble e gatshme të hapë minierat në Kosovë

Fox Marble e gatshme të hapë minierat në Kosovë

Fox Marble ka arritur të ngrit fonde të mjaftueshme për të investuar në Kosovë në procesimin e mermerit dhe granitit. Kjo është edhe kompania e parë kosovarë e cila ka arritur të ngrit fondet nga berza e Londrës. Pritet që gjatë këtij muaji kompania të filloj në hapjen e tri minierave.

Kompania kosovare Fox Marble e cila ka në posedim pesë gurorë në Kosovë, së fundmi ka arritur të futet në berzën e Londrës duke bërë shitjen e 33 milionë aksioneve, të cilat sot shiten me çmim prej 21.7 qindarkë të funtës angleze. Fox Marble tha sot se ka arritur të siguroj kapital prej 10 milionë euro nga investitorët për procesimin e mermerit dhe granitit në Kosovë.

Personi kryesor i angazhuar në Fox Marble është Christopher Gilbert, i cili mban pozitën e shefit ekzekutive ndërsa kosovari Etrur Albani (i njohur më herët si Etrur Rrustemaj, ish-shef i PTK-së) mban pozitën e drejtorit menaxhues.

Vitin e kaluar, Gilbert iu kishte thënë mediave në Londër se edhe James Caan, yll i emisionit të BBC-së “Dragon’s Den” përmes kompanisë së tij “Hamilton Bradshaw Capital Partners” kishte investuar “një shumë të pazbuluar në kompani”. Albani thotë se tri miniera do të hapen gjatë këtij viti duke krijuar ‘ushqim’ të plotë kur edhe fabrika do të jetë e gatshme për përpunimin e mermerit dhe granitit në qershor të 2013. “Më në fund ia arritëm”, thotë Albani duke shpjeguar se kompania ka bërë përpjekje për dy vjet e gjysmë për të mbledhur fonde. “Për këtë periudhë kemi pasur 736 takime me investitorë nga të gjitha anët e botë dhe për çdo ditë na lajmëronin se nuk do të bashkëpunojnë me ne”, Albani i tha Gazetës Jeta në Kosovë.


Ai thotë se faktori kryesor për largimin e tyre ka qenë risku në Kosovë dhe situata jo-stabile e shtetit.

Për më shumë, Albani thotë se hyrja e Fox Marble në berzën e Londrës ka ndryshuar mendjen e disa kompanive serioze në botë.

“Elementi kryesor është se kanë ardhur katër oferta prej kompanive serioze të cilët janë të interesuar të punojnë në Kosovë, në fusha të tjera si në miniera dhe teknologji informative”, thotë Albani.

Rex Marble kishte fituar katër licenca për shfrytëzim më 31 tetor 2011 me afat deri në vitin 2036. Lokacionet për shfrytëzim ishin në Bukovik (Gjilan), Cervenicë, Zatriq (Rahovec) dhe Antena.

Kompania planifikon të procesojë rreth një milion metër katror të mermerit në vit e cila do të qarkullojë shumën vjetore prej 70 milionë euro. “Investimi ynë do të sjell me qindra vende të punës në Kosovë”, thotë Albani.

Resurset e mermerit në Kosovë vlerësohen nga burimet e hartave sipërfaqësore dhe shpimeve të kryera në vitet 1960 dhe një sondazhi të fundit gjeofizik.

Vlerësohet se gjenden rreth 91.3 milionë metra kub të burimeve të treguara (Indicated resources) dhe nga burimet e supozuara (Inferred resources) flitet për 235 milionë metra kub të gurit dekorativ. /GazetaJnK/Telegrafi/