LAJMI I FUNDIT:

Thaçi merr pjesë në Samitin e Kroacisë

Thaçi merr pjesë në Samitin e Kroacisë

Me ftesë të kryeministrit të Republikës së Kroacisë, kryeministri Hashim Thaçi do të marrë pjesë në Samitin e Kroacisë 2009 “Imperativat strategjike të Evropës: Energjia, Investimet dhe Zhvillimi”, që do të mbahet në qytetin e Dubrovnikut në datat 9 dhe 10 korrik të këtij viti.

Konferenca do të bashkësponsorohet nga Qeveria e Suedisë, që është kryesuese e Presidencës së Bashkimit Evropian dhe do të organizohet në kooperim me Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thuhet në një njoftim të Kryeministrisë.

Në Samitin e Kroacisë 2009 në Dubrovnik, do të marrin pjesë liderë nga vendet evropiane, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të Bashkimit Evropian, të NATO-s dhe liderë nga Evropa Juglindore.

Me këtë rast, kryeministri Thaçi do të prezantojë të arriturat e institucioneve të Republikës së Kosovës, përkushtimet e qeverisë për thellimin e reformave të gjithanshme, qeverisjen e mirë, transparente dhe efektive, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën e pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe respektimin afirmativ të të drejtave të komuniteteve, thkesohet në njoftim.


Në Samitin e Dubrovnikut, kryeministri Thaçi do të flasë edhe për angazhimet e përhershme dhe të vazhdueshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për përmbushjen e standardeve dhe kritereve në kuadër të procesit të Integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike të NATO-s. /Telegrafi/