LAJMI I FUNDIT:

Vlerësohet anëtarësimi në FMN dhe BB

Vlerësohet anëtarësimi në FMN dhe BB

Në hapje të mbledhjes së rregullt të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi tha se gjatë kësaj jave Republika e Kosovës ka bërë një hap mjaft të rëndësishëm për integrimin në mekanizmat ndërkombëtarë, me anëtarësimin e plotë në FMN dhe në BB, i përkrahur nga 129 shtete.

“Ky anëtarësim i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore e ka fuqizuar konsolidimin e shtetit tonë, i ka hapur perspektivë dhe ka njohur progresin në Kosovë. Presim që gjatë këtij viti Kosova të jetë pjesë edhe e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH)”.

I pari i ekzekutivit të vendit ka vlerësuar edhe nënshkrimin e marrëveshjes me OPIC si një mundësi shumë të mirë të sjelljes së kompanive dhe investitorëve të fuqishëm amerikanë në Kosovë e gjithashtu edhe për diasporën shqiptaro-amerikane në veçanti.

“Para së gjithash ky anëtarësim dhe kjo perspektivë e sigurt është arritur si rezultat i punës së mirë të bërë në Kosovë, i sundimit të ligjit dhe i një progresi të gjithanshëm që është arritur në vitin e parë të pavarësisë”, ka deklaruar kryeministri Thaçi


Ndryshe Qeveria e Kosovës gjatë mbledhjes së sotme ka miratuar Raportin e Vlerësimit të Menaxhimit të Financave Publike, Shpenzimet Publike dhe Llogaridhënien Financiare.

Ndërkaq, sipas propozimit të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, kabineti qeveritar ka miratuar listën prej 5 anëtarëve të Bordit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës dhe listën prej tre anëtarëve për Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave të Kosovës. /Telegrafi/