LAJMI I FUNDIT:

“Tan Lepri” në shtabin zgjedhor të Thaçit

“Tan Lepri” në shtabin zgjedhor të Thaçit

Krahas ndihmës së kompanisë amerikane, kreu i PDK-së në Kosovë, Hashim Thaçi është asistuar në zgjedhjet e fundit edhe nga një personazh i shumëpërfolur në Shqipëri, Dritan Avllaj.

Biznesmeni i njohur me nofkën “Tan Lepri” ka shërbyer në Kosovë si një ndër protagonistët kryesorë të shtabit elektoral të kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, shkruan revista e Trianës Mapo.

Prania e Avllajt në Kosovë pranë PDK-së është pranuar edhe nga anëtarë të kësaj partie, ndërsa këta të fundit nuk pranuan që të specifikonin rolin e tij në këtë fushatë elektorale.


Përfshirja e një personazhi si “Tan Lepri” në procesin zgjedhor është një element më tepër, në imitimin e modelit shqiptar të zgjedhjeve nga politikanët kosovarë.

E ndërsa në Tiranë, përfshirja e Avllajt si njeri kyç në shtabin elektoral të Thaçit shkakton habi, në Kosovë duket se njeriu i shumëdiskutuar këtej kufirit, është bërë thuajse familjar, në underground-in e politikës kosovare.

Dritan Avllaj u bë një ndër emrat më të përfolur në Shqipëri, kur politika shqiptare u investua dy muaj më parë në një fushatë akuzash dhe kundërakuzash, për një projekt ndërtimi në zonën e Liqenit në Tiranë.

Ai u akuzua nga ana e Partisë Demokratike në Shqipëri, si një ndër njerëzit që ndërtonin në Tiranë, falë mbështetjes që i ofronte kreu i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Por lidhjet e Avllajt me Hashim Thaçin, sipas Mapo-s, kanë një histori shumë më të hershme se miqësia e përfolur e tij me Edi Ramën. Sipas njerëzve që e kanë njohur nga afër Avllajn, kjo miqësi e ka origjinën që prej fillimit të viteve 2000. /Telegrafi/