LAJMI I FUNDIT:

FeR nuk i njeh rezultatet preliminare

FeR nuk i njeh rezultatet preliminare

Partia Fryma e Re (FeR) nuk i pranon rezultatet preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të paraqitura nga KQZ-ja për shkak të keqpërdorimeve dhe manipulimeve anembanë Kosovës, duke vlerësuar se institucionet që dalin nga to janë jolegjitime.

Në një reagim të FeR-it thuhet se gjatë ditës së zgjedhjeve aktivistët të saj kanë qenë dëshmitarë të manipulimeve të votës së lirë anembanë Kosovës me raste nga më të ndryshmet, si për shembull presioni i vazhdueshëm nga përfaqësues të PDK së në votues gjatë shënimit të votës; shitje të votave jashtë vendvotimit për 20 euro në Mitrovicë; kërcënim fizik nga përfaqësues të PDK së ndaj vëzhgueses së partisë, duke mos e lejuar mbushjen e ankesës për parregullsi në vendvotim; sjellje e votave shtesë në vendvotime nga persona të dyshimtë; ardhja e kutive me shifër të njëjtë nga Drenasi në qendër të numërimit; vijimi i votimit, përkundër daljes nga vendvotimi të personit përgjegjës për detektimin e gishtërinjve; vijimi i votimit përkundër mosfunksionimit të detektorit gjatë tërë ditës së votimit; mosdetektimi i sprejit në gisht nga detektorët që kinse kanë qenë në funksion.

“Të gjitha këto e shumë raste të tjera të parregullsive gjatë ditës së zgjedhjeve FeR i ka paraqitur pranë PZAP së bashkë me dëshmitë adekuate. FER-i beson se këto dhe shumë shkelje të tjera, të raportuara anembanë Kosovës nga ky subjekt dhe subjektet e tjera partiake, bashkë me manipulimet tashmë të padiskutueshme në Skenderaj e Drenas, ndikojnë substancialisht në rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe bëjnë që zgjedhjet të jenë përfundimisht jolegjitime”, thuhet në reagimin e FER-it. /Telegrafi/