LAJMI I FUNDIT:

Promovohet strategjia dhe plani i veprimit për të drejtat e njeriut

Promovohet strategjia dhe plani i veprimit për të drejtat e njeriut

Zyra e Kryeministrit në bashkëpunim me Misionin e OSBE-së në Kosovë, kanë mbajtur të enjten Konferencën për promovimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës 2009-2011.

Zëvendëskryeministri. Ramë Manaj me këtë rast ka thëën se, promovimi dhe respektimi i të drejtave të njeriut në veçanti qasja e barabartë dhe kundër-diskriminimi janë parime themelore të Qeverisë së Republikës së Kosovës, andaj zbatimi i tyre në praktikë është përgjegjësi jo vetëm e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por i të gjitha institucioneve dhe qytetarëve.

Qeveria e Kosovës, theksoi ai, synon që përmes këtij dokumenti të ofroj hapat e nevojshëm për të planifikuar dhe të koordinuar aktivitetet e nevojshme në përmirësimin e politikave në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Strategjia dhe Plani i Veprimit për të Drejtat e Njeriut në Republikën e Kosovës është aprovuar nga Qeveria e Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa hartimin e këtij dokumenti e kanë ndihmuar OSBE-ja dhe Agjencitë e Kombeve të Bashkuara.


Zv.kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, Marku Lamanen, vlerësoi se ky dokument është gurthemel për zhvillimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.

Monitorimin dhe raportimin për zbatimin e këtij dokumenti do ta bëjë Zyra e kryeministrit për qeverisje të mirë në bashkëpunim me institucionet tjera. /Telegrafi/