LAJMI I FUNDIT:

Zubin Potok: Pas sulmit ndaj policisë vritet një person

Zubin Potok: Pas sulmit ndaj policisë vritet një person

Një mashkull i nacionalitetit serb, është privuar nga jeta pasi i njëjti kishte qëlluar me armë zjarri drejt anëtarëve të familjes së tij dhe drejt pjesëtarëve të policisë së Kosovës në Zubin Potok.

Rasti i dhunës në familje dhe i të shtënave me armë zjarri i cilësuar si vrasje në tentativë është raportuar të ketë ndodhur në një shtëpi private në Zubin Potok rreth tridhjetë minuta pas mesnate.

Njësitë e para policisë së Kosovës të stacionit Zubin Potok, kanë identifikuar lokacionin dhe me të trokitur në derë të shtëpisë kanë identifikuar të dyshuarin i cili mbante një revole në dorë. I dyshuari, me të vërejtur policinë, ngjitet shkallëve të shtëpisë në katin e dytë. Derisa policët patrullues po tentonin që me fjalë të bindin të dyshuarin të dorëzohet, i njëjti nga kati i dytë i ndërtesës ka qëlluar disa herë me armë në drejtim të pjesëtarëve të policisë.

Një nga plumbat e shkrepur ndërkaq ka goditur pjesëtarin e policisë në pjesën e parme të gjoksit, por fatmirësisht plumbi është ndalur në jelekun antiplumb të policit.


Zyrtarët policor në vetëmbrojtje dhe në mbrojtje të jetës së të tjerëve i janë kundërpërgjigjur sulmit të armatosur me zjarr për të ndaluar sulmuesin e armatosur, me ç’rast i dyshuari qëllohet nga plumbat e shkrepur.

Sipas prokurorit ndërkombëtar, intervenimi policor është kualifikuar si veprim i ligjshëm i policisë në vetëmbrojtje gjatë intervenimit në rastin e raportuar si “vrasje në tentativë”.

Në vend të ngjarjes, hetuesit policor dhe teknikët e kriminalistikës së policisë të Kosovës dhe të policisë së EULEX-it, kanë gjetur dhe identifikuar së paku 12 gëzhoja të revoles së tipit “TT”, e cila ishte përdorur nga i dyshuari në këtë rast.

Besohet se së paku shtatë nga këto 12 plumba të shkrepur nga i dyshuari kanë qenë të drejtuara drejt zyrtarëve të policisë. Veç armës e cila ishte e përdorur në këtë rast, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe tri pushkë të tjera në mesin e tyre një snajper pushkë dhe dy armë gjahu. /rtk/