LAJMI I FUNDIT:

Ishujt Maldive e njohin Kosovën

Ishujt Maldive e njohin Kosovën

Ishujt Maldive e kanë njohur shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Lajmi i është konfirmuar nga autoritetet e këtij vendi kryetarit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacolli, bën të ditur Gazeta Express.

Në një letër që ministri i Punëve të Jashtme të Ishujve Maldive, Ahmed Shaheed ia ka dërguar kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacolli, thuhet se lajmi për pranimin e pavarësisë së Kosovës nga ky shtet do të paraqitet në ueb-faqen zyrtare të Ministrisë se Jashtme para se të përfundojë puna të premten me 6 shkurt 2009.

Maldive, që shtrihet në Oqeanin Paqësor, bëhet shteti i 55-të anëtar i OKB-së që e njeh Republikën e Kosovës, e cila më 17 shkurt 2008 e shpalli pavarësinë.

Kryetari i AKR-së, Pacolli, para 10 ditësh kishte paralajmëruar se Kosova do të njihet shumë shpejt nga ky shtet me popullsi myslimane. Sipas tij, realitetin e ri të krijuar në Kosovës së shpejti do ta njohin edhe disa shtete të tjera, si Katari, Namibia, Angola etj.


“Jam takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Ishujve Maldive. Dhe ai sot pritet ta takojë të ngarkuarin me punë në ambasadën e Kosovës në Washington, z. Avni Spahiu. Në agjendën e këtij takimi është njohja e Republikës së Kosovës nga ana e Maldives”, kishte deklaruar për Express, Pacolli.

FAKTE
Ishujt Maldive kanë territor 300 kilometra katrorë;
Përbëhet nga më tepër se 280 ishuj të grupuar në 19 atole (divizione administrative);
385 925 banorë;
Kryeqytet është Male;
E ka fituar pavarësinë më 26 korrik 1965 (nga Britania e Madhe);
Turizmi dhe nxjerrja e peshkut përbëjnë industrinë kryesore të vendit.
/Express/