LAJMI I FUNDIT:

ADK: Serbia nuk është shëruar nga mentaliteti i dhunës

ADK: Serbia nuk është shëruar nga mentaliteti i dhunës

Partia Alternativa Demokratike e Kosovës ka reaguar ashpër lidhur me arrestimin e ish ushtarëve të UÇK-së në Luginën e Preshevës, si dhe për brutalitetin e ushtruar gjatë bastisjes së shtëpive të familjeve shqiptare, që i la të lemerisur edhe fëmijët.

ADK vlerëson se këto akte brutale rishfaqin fytyrën e agresivitetit të ish regjimit diktatorial dhe kanë për qëllim nxitjen e situatave të konfliktit dhe të destabilizimit të gjithë rajonit.

“Në thelb, prapavija e veprimeve të tilla ndërlidhet me synimet e Serbisë për t’i nxitur skenaret e ndarjeve dhe për ndryshimin e kufijve”, thekson kjo parti.

Sipas ADK-së, “Serbia, në vend që ta përqafojë mentalitetin demokratik, po vazhdon të dëshmojë se nuk është shëruar nga mentaliteti i dhunës dhe agresionit, duke rrezikuar proceset demokratike në rajon dhe proceset e integrimeve euro-atlantike”.


ADK ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjë urgjentisht për ta ndalur dhunën e autoriteteve të Serbisë ndaj popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës. “Këto ngjarje, si dhe të tjerat e këtij lloji, dëshmojë se cili është imazhi i vërtetë i Serbisë, andaj bashkësia ndërkombëtare duhet të ndërmerr masa adekuate të cilat do ta detyronin Serbinë që të heq dorë nga politikat e së kaluarës dhe të ec në ardhmëri me vlera evropiane”, thekson kjo parti. /Telegrafi/