LAJMI I FUNDIT:

Hysa: Futja e Kroacisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit, lajm i mirë për Kosovën!

Hysa: Futja e Kroacisë si anëtare e Këshillit të Sigurimit, lajm i mirë për Kosovën!

Hyrja e Kroacisë në Këshillin e Sigurimit është lajm i mirë për Kosovën. Kështu ka deklaruar nënkryetari i ORA-s, Ylber Hysa, në një emisionin special të Televizionit Nacional Kroat ku është trajtuar në mënyrë të veçantë tema e pranimit të Kroacisë si anëtare jo e rregullt në Këshillin e Sigurimit.

Përveç mysafirëve në studio, politikanë, diplomatë dhe gazetarë të njohur nga pozita dhe opozita kroate, në studio të veçanta në Bruksel, Prishtinë e Beograd, ka marrë pjesë edhe nënkryetari i ORA-s.

Hysa, i pyetur se si kjo do të reflektoj në Kosovë, ka theksuar që ky është para së gjithash një lajm i mirë për rajonin për faktin që dëshmon që edhe një vend që ka dalë nga ish rajoni i krizës, si Kroacia, ka arritur që tani të kyçet në një institucion kaq të lartë si Këshilli i Sigurimit.

“Ky është një lajm i mirë për rajonin, para së gjithash për shtetet e Kartës së Adriatikut- Shqipërisë e Maqedonisë por edhe për shtetet e krijuara dhe ato që janë në krijim e sipër nga hapësira e ish-Jugosllavisë, siç është Kosova. Kroacia e dalur nga vorbulli i dezintergrimit të ish-Jugosllavisë është në gjendje që më mirë të shpjegoj çështjen e Kosovës në New York”, ka thënë Hysa.


Hysa ka shtuar se, fakti që Kroacia është në Këshill të i Sigurimit dhe Sllovenia pritet që të marrë mandatin mbi BE-në, është një lajm i mirë për rajonin dhe Kosovën.